Një institut kërkimesh në Korenë e Veriut thotë se ka prodhuar një maskë mbrojtëse me nano-antibiotik. Lajmi është dhënë nga agjencia shtetërore e lajmeve, KCNA, sipas të cilës, vendi ende nuk është prekur nga virusi por ka marrë të gjitha masat e nevojshme për ta zbrapsur atë.
“Në mesin e një fushate emergjence kombëtare anti-epidemi, për të parandaluar Covid-19, instituti mjeksor ka zhvilluar së fundmi një maskë nano-antibiotik, me materiale të brendshme”, raportoi KCNA.
Ndryshe nga të gjithë fqinjët e saj të azisë lindore, vendi i izoluar nuk raporton asnjë rast koronavirusi. Në raportin e KCNA, zëvendësdrejtori i institutit, Ri Jae Dok, tha se maska e prodhuar së fundmi, përmban të gjitha specifikimet teknologjike të maskave të njohura nga OBSH.
Maskat raportohet se trajtohen me një solucion nano antibiotikësh që ndihmon në sterilizimin dhe heqjen e mikrobeve e viruse si edhe filtron edhe pluhurin më të imët. Maskat po prodhohen në një fabrikë në Penian, sipas KCNA.
Top Channel