AUSTRI- Në Austri, ndryshe nga shumë vende të Evropës për të katërtën ditë radhazi, numri i personave të prekur nga CoVid-19 është më i ulët sesa numri i të shëruarve.
Konkretisht sipas raporteve ndërkombëtare në Austri nga dita e hëna janë paraqitur 583 persona të cilët janë shëruar, ndërsa janë regjistruar 332 raste të reja.
Gjithsej, për momentin ka 8 043 persona të infektuar në vend dhe numri i tyre është zvogëluar me 3,4 % në krahasim me ditën paraprake.
Kështu Austria thotë se është gati të zbusë masat kufizuese anti koronavirus duke filluar që nga 14 prilli.
Lajmi është konfirmuar nga vetë kancelari Sebastian Kurz, i cili saktësoi se vendimi do të varet nga mënyra në të cilën qytetarët do të vazhdojnë të ndjekin rregullat e distancimit social. Objektivi është që sa më parë, të mund të rihapen dyqanet e vogla dhe deri tek lokalet me sipërfaqe 400 metra katror ndërsa në mes të majit të kalohet tek restorantet, hotelet dhe shkollat.
Rihapja e njësive të mëdha, si dyqane informatike etj, do të duhet sidoqoftë të bëhet nën kushte të rrepta sigurie; duhen mbajtur maska dhe duhen higjenizuar ambjentet, por edhe duke lejuar një numër të kufizuar klientësh për dyqan. Kancelari Kurz ka thënë po ashtu se kalendari i qeverisë do të vazhdojë sipas planeve.
Top Channel