Pavarësisht pandemisë, pranvera tashmë po shpalos gjithë bukurinë e saj dhe shembuj humanizmi nga i gjithë globi, bashkë me të, po ngrohin zemrat e njerëzve.
Në një restorant në Barcelonë, kuzhinierët, bëjnë pa pushim hamburgerë për tua shpërndarë infermierëve dhe doktorëve. Kur ne u dërgojmë ushqim, dhe shohim që ata janë të gëzuar, gëzohemi edhe vetë ne e kështu bëhemi më të fortë – thotë shpërndarësi, Daniel Valls.
Në qytetin italian të Napolit, një artist rruge, ul nga ballkoni i tij një shportë që ai e quan, shporta e solidaritetit.Nëse mundeni, vendosni dicka në të. Nëse nuk mundeni, merrni dicka – thërret ai.
“Filluam duke vendosur një copë bukë, një qese makarona, një kuti salcë – thotë Teresa Cardo, që po ashtu ka lëshuar shportën e saj nga ballkoni, dhe dy orë më vonë, ajo ishte plotësisht e mbushur.
Në Venezuelë, njerëzit njihen si të ngrohtë me njëri tjetrin, dhe ajo që po i mundon, ndoshta po aq sa edhe koronavirusi, është mos prekja. Kjo, thonë ata, është e vështirë, madje shumë. E ndërsa dalin në rrugët e qyteteve, për arsye të ndryshme, njerëzit evitojnë të prekin njëri tjetrin, e kjo, nuk është aspak e lehtë për venezuelianët që janë mësuar të përshëndeten me puthje, përqafime dhe shtrëngime të zhurmshme duarsh..
Në Uashington DC, banorët i janë bashkuar një gjuetie globale për arushë pellushi, që ka si qëllim të afrojë komunitetet pavarësisht izolimit të diktuar nga koronavirusi. Kështu, njerëzit vendosin arushë pellushi në dritaret e tyre, në mënyrë që fëmijët apo të rriturit ti pikasin ata gjatë daljeve të rralla jashtë. Kjo, sipas shumëkujt, i jep fëmijëve mundësinë e një aktiviteti.
Në anën tjetër, banorët e një qyteti në Kolumbi, Soacha, në jug të kryeqytetit Bogota, kanë varur shami të kuqe në dritaret e tyre apo në dyert kryesore si një sinjal se ata kanë nevojë për ndihmë ekonomike dhe humanitare nga qeveria. Në qytet në fakt jetojnë një numër i madh punonjësish me të ardhura të pakta dhe të moshuar e kjo e shamive të kuqe, ishte një nismë e kryebashkiakut lokal. Pjesa më e madhe e banorëve atje janë të varfër dhe mbështeten tek ndihma sociale dhe vendosja e një shamie të kuqe, në dritare, është një mesazh drejtuar qeverisë, qytetarëve të tjerë apo organizatave humanitare.
Top Channel