Ndarja nga jeta e aktorit të madh, Gëzim Kruja! Ja si e kujtojnë miqtë e tij më të mirë

06/04/2020 14:54

Në emisionin “Shqipëria Live”, drejtuar nga dyshja e moderatorëve Erjona Rusi dhe Flori Gjini, ishin të ftuar me anë të një lidhjeje me “Skype” aktorët Zef Deda, Drane Xhaj dhe Bruno Shllaku.

Në studio u fol për ndarjen e dhimbshme nga jeta të aktorit të madh Gëzim Kruja. “Njeri i jashtëzakonshëm dhe aktor i madh”, kështu e përshkruajnë kolegët Gëzimin. Të gjithë janë të pikëlluar, jo vetëm për ndarjen e “mikut” të gjithë shqipëtarëve, por edhe për mosshoqërimin e tij drejt banesës së fundit, pasi koronavirusi përveç rrjedhës së jetës, ka paralizuar dhe ceremonitë mortore. Aktorja Drane Xhaj, e kujton Gëzimin si një njeri me zemër të madhe dhe për këtë zbulon një episod shumë madhështor. Gjatë një turneu në Gjermani, thotë Darnja, Gëzimi kishte shumë dëshirë t’u dhuronte artdashësve në Diasporë krijimet e tij. Por ata, në shenjë vlerësimi, e paguanin për këtë gjest dhe ai i ndante me mua të ardhurat, thotë Drane, edhe pse në fakt mua nuk më takonte pasi krijimet ishin të tijat.

“Pashë direkt kameran e TV-së  (Top Channel) tuaj  që shoqëroi Gëzim Krujën drejt banesës së fundit. Është e vështirë për ne që të flasësh për një koleg që kemi ndarë shumë gjëra me të. Shumë më e dhimbshme është të mos dhurosh një tufë lule. Një ceremoni që do të ishte ashtu siç Gëzim Kruja do ta meritonte. Sot është një ditë e trishtë për të gjithë artin dhe humorin shkodran. Kemi marrë telefonata të panumërta për Gëzim Krujën por edhe në Diasporë. Takimi i fundit me Gëzimin ka qenë me rastin e 80-vjetorit por ishte e pamundur se Gëzimi ka disa muaj që ishte sëmurë nuk fliste. Aty ishte takimi im i fundit me mjeshtrin Gëzim Kruja. Ai iku me një peng, sepse dëshira e tij e madhe ishte që me rastin e 80 vjetorit të kishte një realizim në “Teatrin Migjeni”. Artistët nuk vdesin, artistët do të jetojnë gjithmonë ashtu siç Gëzim Kruja do të jetë pjesë e tryezave shqiptare. Gëzimi përveç aktor i mrekullueshëm në skenë, ka qenë shumë gazmor, në tavolinat shoqërore. Kishte një humor të jashtëzakonshëm. Unë kam pasur fat të jem me Gzimin edhe në skenat botërore. Në një turne në Gjermani ai kishte marrë një çantë me punimet e tij dhe i dhuronte nga një libër njerëzve që takonim. Ata ja paguanin librat Gëzimit dhe ai këto lekë i ndau me mua. Kemi ardh bashkë dhe të gjitha fitimet do të jenë bashkë më tha Gëzimi. Mund të jesh artist shumë i madh, por madhështia është tek pjesa njerëzore”, u shpreh aktorja Drane Xhaj.

Miku i ngushtë i Gëzimit, Zef Deda, e kujton kështu aktorin e madh të humorit:

“Me madhështinë e tij ne krenohemi. Ai gjithmonë ka qenë më i madh se unë. Unë rritesha, ndërsa  ai ishte gjithmonë i madh dhe vdiq i madh. Kam pasur mrekullinë që të luajmë bashkë. Ai ka qenë shumë i dashur, për të gjithë kolegët. Ai kënaqej, u gëzonte me realizimet e kolegëve të tij. Unë mbaj mend në rininë time, kur ai ishte 28 vjeç dhe unë isha 18 vjeç. Atëhere isha amator dhe Gëzimi kishte një famë të madhe në Shqipëri. Drejtori i ndërmarrjes porosiste birrën dhe ja siellja unë (Pjesë e një humori) dhe më thote mua “Sa të hollë e ke sjellë birrën”. Kur dilja me atë në skenë nuk më zinte gjumi nga gëzimi. Ata kanë prodhuar kaq shumë sa edhe ne më të rinjve. Vetëm kur dilja me të kisha emocione në skenë.

Po ashtu një koment për “mikun e tij të mirë”, siç e përkufizoi vetë ka dhe aktori Bruna Shllaku:

“Gëzim Kruja nuk mund të kujtohet ndryshe por vetëm si një njeri me zemër të madhe. Nga dora e tij kanë dalë dhjetra aktorë që sot janë dominant në teatrot përkatëse. Mendoj që ai largim ishte një largim që vetëm Totos është bërë, dëshiroja ta qetësoja pak veten sepse nuk ishte e mundshme që Shkodra të shkonte që t’i jepte lamtumirën. Por unë dua që ti them Gëzim Krujës se kështu ikin të mëdhenjt, ikin me heshtje por kanë lënë mbrapa gjëra të jashtëzakonshme.

Top Channel