Projektligji për Gjykatën Speciale dërgohet në Qeveri, 120 pako dorëzohen pas protestës në Prishtinë
Ambasada amerikane në Prishtinë bëri thirrje të dielën që të lihen anash ndarjet ndërmjet komuniteteve në kohën e përballjes më virusin COVID-19.
Komentet e ambasadës pasuan debatet që u nxitën pas futjes në karantinë të komunës së Mitrovicës së Veriut dhe komunës së Zveçanit, të banuara me shumicë serbe. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, Lidhja Demokratike si dhe partitë opozitare kritikuan qeverinë në detyrë për situatën në veriun e Kosovës, duke theksuar se ajo po lejon kësisoj “ndërhyrjen e Serbisë”.
Në një komunikatë të ambasadës përgëzohen “përpjekjet e vazhdueshme të profesionistëve të shëndetësisë dhe të tjerëve që janë duke punuar shumë, me rrezik të madh, për të penguar zgjerimin e COVID-19 në Kosovë. Ata kanë nevojë për mbështetjen e të gjithëve. Të punoni së bashku, duke ndjekur udhëzimet e profesionistëve të shëndetësisë dhe duke lënë anash ndarjet ndërmjet komuniteteve është thelbësore për ta mundur COVID-19-tën”, thuhet në komunikatë.
Kurti: Ka politikanë në Beograd e Prishtinë që duan konflikt në veri për të cuar në ndarjen e Kosovës.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha të dielën ndërkaq se është ministria e Shëndetësisë që ka shpallur karantinën në ato dy komuna.
“Jemi angazhuar maksimalisht që të ndalim shpërndarjen e virusit duke ndihmuar të gjithë qytetarët dhe secilin prej tyre pa dallim komune dhe etnie. Ne e dimë që Serbia ka pretendime ndaj shtetit tonë të pavarur të cilën ajo nuk e njeh. Ne e dimë që ajo ndërmerr veprime edhe kundër institucioneve tona, posaçërisht në veri. Të gjitha këto ne po i raportojmë te KFOR-i dhe faktorët tjerë ndërkombëtarë. Ne veprojmë e sillemi me kujdes sidomos në këtë kohë kur askush nuk mund të ketë prioritet tjetër përveç shëndetit publik”, tha ai në një videopostim ne llogarinë e tij në facebook.
“Po ka politikanë e zyrtarë të lartë në Beograd që duan konflikt në Kosovë sidomos në veri të Ibrit, mirëpo ka politikanë e zyrtarë të lartë edhe në Prishtinë që duan konflikt në Kosovë sidomos në veri të Ibrit. Ata duan të provokojnë tensione sepse ata duan incidente. Projekti i tyre i shkëmbimit territorial sikur të realizohej do të shkaktonte konflikte e gjakderdhje të reja. Ai projekt dështoi. Tash duan konflikte e gjakderdhje në terren për t’u rikthyer te shkëmbimi territorial, përkatësisht te ndarja e Kosovës. Krejt njëjtë është edhe ajo intenca për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme me çdo kusht e çmim; pasi që nuk arritën ta shpallin për ta bërë, duan ta bëjnë që ta shpallin. Ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve, serbëve dhe pakicave tjera në Kosovë, e posaçërisht në Mitrovicë, që të kenë kujdes, që ta ruajnë gjakftohtësinë e të mos bien në kurthin e atyre të cilët për t’i zbrazur shampanjat e tyre, kanë nevojë të derdhët gjaku jonë. Mos bini në provokime e insinuate e intriga të ndryshme. Ato janë kurthi në të cilin do të bien vet ata brenda”, tha kryeministri në detyrë.
Numri i personave të infektuar me koronavirus në mjediset e banuara me serbë ka shkuar në 22, ndërsa një pjesëtar i këtij komuniteti ka vdekur nga pasojat e infektimit në një spital në Nish, një qytet në jug të Serbisë.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike deri të dielën është 140./voa
Top Channel