Blerta Hajdini, është një 17 vjeçare në prag të 18-ve, e cila vuan nga një mori sëmundjesh si autizmi, epilepsia, dhe gjysmë verbimi.

Me vajzën e sëmurë, dhe burrin që i dergjet në shtrat si pasojë e një aksidenti, mamaja e Blertës, Hajria, mes lotësh thotë që ka më shumë nevojë se sa asnjëherë për ndihmë.

“Vetëm 70 mijë lekë në muaj merr bashkëshorti dhe vajza merr kemp. Shpesh më kanë ndihmuar të afërmit e mi”, thotë Hajria. Të ardhurat janë të pakta për të plotësuar kërkesat e vajzës, e cila ushqehet vetëm me kos, makarona dhe qumësht. Blerta, i duhet patjetër që t’i nënshtrohet një operacioni, pasi epilepsia është në një fazë të avancuar dhe e “mbërthen” thuajse 7 herë në ditë.

Kjo histori e trishtë, u transmetua në emisionin “Shqipëria Live” dhe tashmë emisioni, ka nisur një fushatë për të mbledhur të ardhura, që Blerta t’i nënshtrohet ndërhyrjes aq shumë të nevojshme për të.

“Blerta ka 17 vite, sikurse e shikoni me autizëm, me epilepi dhe syri i djathtë është i dëmtuar. Kam pesë muaj që jetoj me qira, më kanë ndihmuar të afërmit e mi. Burrin e kam të sëmurë me diabet dhe vuan nga shtylla kurrizore, pasi ka pësuar një aksident. Ne 70 mijë lekë na merr burri, dhe kempi i vajzës dhe asgjë tjetër. Vajza ime ushqehet vetëm me qumësht, kos, banane, makarona vetëm këto. Pampersat nuk i përballoj dot, sepse janë shumë të shtrenjta. Të vendosë dorë Zoti dhe ju që keni shkuar në këtë pikë. Nuk di se çfarë të them më për këtë gjë. I kam bërë letrat disa herë për operacion, në Austri dhe s’më kanë bërë. Blertën nga epilespitë e fundit ke kapin dhimbjet shtatë herë në ditë”, shprehet mes lotësh Hajria, mamaja e Blertës.

Top Channel