Një punëtor i burgut në Mitrovicën e Veriut që i përket kombësisë serbe, është infektuar me koronavirusin e ri, dhe shtatë të tjerë kanë simptoma të ngjashme, konfirmoi kryetari i Shtabit të Krizave të Mitrovicës së Veriut, Aleksandar Spiriq, i cili është edhe president i Organit të Përkohshëm të Komunës së Mitrovicës, i cili vepron brenda sistemit serb.
Radio Evropa e Lirë ka mësuar se i infektuari është një punëtor mjekësor në burgun e Mitrovicës së Veriut.
“Stafi do të testohet nga ekipi i Prishtinës deri në fund të ditës, pasi bëhet fjalë për shërbimin e tyre të burgjeve”, tha Spiriq, duke theksuar se situata në veri të Kosovës është shumë shqetësuese, veçanërisht në Mitrovicën e Veriut.
Ai u bëri thirrje kujtdo që kishte ndonjë kontakt me njerëzit në një dasmë të zhvilluar më 14 mars, të raportonin nëse kishin ndonjë simptomë të sëmundjes.
Ai tha se nëse qytetarët sillen në mënyrë të papërgjegjshme, mund të ketë pasoja të mëdha në Mitrovicën e Veriut.
Në Institutin e Shëndetit Publik në Mitrovicën e Veriut, i cili funksionon në kuadër të sistemit të Serbisë, janë testuar 25 pacientë, 10 prej të cilëve janë në pritje të rezultateve, dhe dy kanë dalë pozitivë për koronavirusin.
Mostrat janë analizuar në Institutin Torlak në Beograd.
Sistemi shëndetësor në komunitetet serbe në Kosovë funksionon brenda sistemit të Serbisë, dhe jashtë sistemit shëndetësor të Kosovës.
Një ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës kishte thënë se ata nuk ishin në gjendje të monitorojnë gjendjen në mjediset serbe, sepse institucionet kompetente nga ato mjedise që funksionojnë në sistemin serb nuk e kanë informuar Prishtinën për rastet pozitive me COVID-19.
Top Channel