Koronavirusi; Dhjetra elefantë që mbanin turistët çlirohen prej mbylljes së parqeve në Tailandë

27/03/2020 22:05

Teksa pandemia e koronavirusit të ri vazhdon të përhapet në të gjithë globin, ngadalësimi i ritmeve të jetës ka sjellë çlirim për dhjetra elefantë në veri të Tailandës.

Kampi i elefantëve Maesa në rezortin turistik Chiang Mai, janë mbyllur për vizitorët prej epidemisë, dhe tashmë pronarët kanë vendosur të heqin nga kurrizi i elefantëve ulëset e drunjta e të çelikta që ata mbanin gjithë ditën.

Kampi njoftoi se nuk do të detyrojë 78 elefantët e tij të mbajnë ngarkesën deri në rihapjen e impjantit dhe ata do të lejohen të bredhin të lirë nëpër park, ku vizitorët mund t’i shikojnë në habitatin e tyre natyral.

Kjo është hera e parë në 44 vjet që elefantët nuk kanë mbajtur ulëset në kurriz gjatë ditës, thotë drektoresha e kampit Anchalee Kalampichit.

“Që kur kemi ardhur këtu në 1976, xhirot me elefantë kanë qenë aktiviteti i prferuar i turistëve,” thotë ajo.

“Por për arsye të përhapjes së koronavirusit ka pasur gjithnjë e më pak turistë dhe rrjedhimisht qeveria urdhëroi mbylljen. Por ne nuk planifikojmë më të vëmë karriget mbi kurrizin e tyre, duam të ndryshojmë stilin e këtij vendi dhe të gjejmë mënyra më naturale që publiku të shijojë këto kafshë. Ne do të ftojmë turistët të mësojnë rreth tyre dhe rreth natyrës”, shton ajo.

Me biznesin e mbylur dhe pa të ardhura, tashmë impjanti duhet të paguajë rreth 300 punonjës si dhe të kujdeset për elefantët, thotë Kalampichit.

“Por ne nuk do të braktisim asnjë, do të kujdesemi sa të mundemi për elefantët. Jemi duke mbjellë perime për konsumin e stafit dhe të elefantëve, për reduktimin e shpenzimeve”.

FOTO GALERI
4/9

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA