Osmani dhe homologët e saj të Ballkanit Perëndimor, letër BE-së

26/03/2020 10:38

Bashkimi Evropian vendosi për të ndaluar eksportet e pajisjeve shëndetësore me vendet jo anëtare të Bashkimit Evropiane, gjë që solli shqetësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor të cilat janë të prekura me COVID-19.

Me këtë rast, kryeparlamentarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor i janë drejtuar me një letër Presidentit të Parlamentit Evropian, David Sassoli, dhe Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nëpërmjet së cilës u propozojnë Parlamentit dhe Komisionit Evropian disa masa shtesë për luftën ndaj pandemisë në rajonin tonë.

“Të vetëdijshëm për kompleksitetin e situatës së pandemisë COVID-19, numrin e personave të infektuar dhe pajisjet e pamjaftueshme mjekësore të vendeve tona, sot, më tepër se kurrë, kemi nevojë për solidaritet, një qasje të koordinuar dhe veprim të përbashkët. Ndaj, kërkojmë që vendet e Ballkanit Perëndimor: Të përjashtohen nga vendimi për të kufizuar eksportin e pajisjeve mjekësore nga Bashkimi Evropian dhe të përfshihen në skemën e autorizimit të eksportit BE-së; Të kenë akses në prokurimin e përbashkët me BE-në të pajisjeve mjekësore për të luftuar pandeminë; Të lejohen që një pjesë e fondeve të Programit IPA II dhe të gjitha fondet e tjera në dispozicion nga burimet e BE-së të përdoren për të luftuar pandeminë COVID-19. Veç masave të propozuara, në emër të parlamenteve të vendeve tona, mirëpresim çdo lloj ndihme që Bashkimi Evropian është i gatshëm të vejë në dispozicion të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në letrën e kryeparlamentarëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Letra është nënshkruar nga Gramoz Ruçi, Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë; Vjosa Osmani, Kryetare e Kuvendit të Kosovës; Denis Zvizdic; Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve të Bosnjë- Hercegovinës dhe Dragan Covic, Kryetar i Dhomës së Popujve të Bosnjë-Hercegovinës; Ivan Brajovic, Kryetar i Parlamentit të Malit të Zi; Talat Xhaferi, Kryetar i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut; Maja Gojkovic, Kryetare e Parlamentit të Serbisë.

Top Channel