Tre anijeve krocerë pranë brigjeve të Australisë perëndimore u është thënë se në asnjë rrethanë ato nuk do të lejohen të ankorohen në breg.
Krocera Artania, me 800 pasagjerë, pjesa më e madhe gjermanë, ka shtatë persona të prekur nga koronavirusi. Ajo duhet të vazhdojë udhëtimin e saj drejt Afrikës së jugut, menjëherë – tha kryeministri i Australisë perëndimore Mark MekGovan. Sipas tij, nëse shtatë pasagjerët do të kenë nevojë për ndihmë mjekësore ata duhet të dërgohen në bazën e forcave australiane të mbrojtjes dhe që andej të kthehen në Gjermani. Ndërkohë, një tjetër anije, MSC Magnifica, është furnizuar me karburant në Fremantle dhe mbetet në ujërat pranë Australisë perëndimore. Ajo duhej ta përfundonte udhëtimin e saj në Dubai dhe ishte në det kur operatori i saj, MSC Cruises, ndali përkohësisht flotën. Sipas MSC Cruises, asnjë pasagjer nuk është sëmurë në bordin e anijes.
Anija e tretë është vasco de gama, me rreth 800 australian në bord, 109 neozelandezë dhe 33 qytetarë britanikë. Ajo duhej të ankorohej në fremantle të premten, por iu kërkua që ta shtynte mbërritjen e saj deri të hënën në mënyrë që të merren masat për krijimin e ambjenteve ku pasagjerët do të qëndrojnë në karantinë 14 ditore. Ndërkohë, një total prej 77 personash, në bordin e një tjetër anijeje krocerë, zaandam, të kompanisë Holland America kanë raportuar simptoma të ngjashme me gripin. Testimi për koronavirus nuk është i disponueshëm në bord- thonë zyrtarët. Anija u largua nga buenos airesi në argjentinë, më 7 mars, para se operatori i krocerave të njoftonte pezullimin e operacioneve për një muaj. Udhëtimi duhej të përfundonte në kili, të shtunën e kaluar, por ende asnjë pasagjer nuk ka zbritur nga bordi.
Top Channel