Në Kuvendin e Kosovës ka nisur seancën për të shqyrtuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës, që është iniciuar nga partia në koalicionin qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se ky mocion i mosbesimit ka ardhur për për shkak siç thotë ai, pazareve të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për shkëmbim territorial me Serbinë.
“Jam i bindur që ka marrëveshje praktikisht këtë ma ka konfirmuar edhe presidenti në takim që ishim”, tha Kurti. “Ky mocion mosbesimi synon ta lë popullin pa qeveri, atë qeveri që ata e kanë votuar. ky pazar presidencial e kërkon rrëzimin e qeverisë. Motori i kësaj është si të largohet kjo qeveri në mënyrë që t’i hapet shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme dhe pazarit të gatshëm për shkëmbim territorial”, tha Kurti.
Arben Gashi nga Grupi Parlamentar i LDK-së në arsyetimin e tij për mocionin e mosbesimit tha se kryeministri Kurti me veprimet e bëra siç ishte edhe shkarkimi i ministrit të Punëve të Brendshme Agim Veliu, vendosi që t’i jep fund koalicionit qeverisës. Mocioni për mosbesim të Qeverisë është mbështetur nga partitë opozitare Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate dhe Lista Serbe. Kriza qeveritare, për shkak të mospajtimeve ndërmjet dy partive të koalicionit, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike erdhi në kohën kur e gjithë bota, përfshirë edhe Kosova, po ballafaqohet me luftën kundër koronavirusit të ri.
Mospajtimet të mëdha mes LDK-së dhe Vetëvendosjes dolën në shesh në lidhje me shfuqizimin e tarifës 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, masë kjo që ishte vendosur nga qeveria e kaluar e Kosovës, e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj. Finalja e kësaj krize nisi me një deklaratë të ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu pasi ai doli në favor të dekretit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, masë kjo që u kundërshtua nga kryeministri Kurti.
Top Channel