Kryeministri britanik, Boris Johnson, njoftoi natën e së hënës, se me efekt të menjëhershëm, njerëzit do të lejohen të dalin nga shtëpitë vetëm për qëllime të kufizuara.

Qëllime të tilla janë blerja e ushqimeve, plotësimi i nevojave mjekësore apo udhëtimi drejt punës nëse puna nga shtëpia është e pamundur. Numri i viktimave të koronavirusit në Britaninë e Madhe u rrit në 334 të hënën dhe vendi u rendit i 10 në botë për numrin e të infektuarve me 5903 të prekur sipas universitetit John Hopkins.

Në Itali, vendin më të goditur në botë nga koronavirusi, zyrtarët thanë se 602 persona me Covid 19 humbën jetën në 24 orët e fundit, duke e çuar shifrën totale atje në 6077. Por, rritja ditore është më e ulëta që nga e enjtja, çka edhe rrit shpresën se ashpërsimi i kufizimeve të vendosura nga qeveria po fillon të japë efekt. Spanja, në anën tjetër, tha se numri i viktimave atje është rritur me 462, duke e çuar totalin në 2182, një rritje prej 27 për qindësh.

Franca raportoi 186 viktima të reja duke e çuar totalin në 860. Qeveria do të përforcojë kufizimet nga e marta.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku 481 persona kanë humbur jetën, guvernatorët e shtetit dhe kryebashkiakët lokalë, kërkuan ndihmë nga qeveria federale. Presidenti Donald Trump ka urdhëruar ndërkohë dërgimin e trupave të rojës kombëtare në tre shtetet më të goditura të vendit, Kaliforni, Nju Jork dhe Uashington. Në anën tjetër, kombet e bashkuara kanë bërë apel për një armëpushim global, për ti lejuar botës të luftojë pandeminë. Sekretari i përgjithshëm, Antonio Guterres, paralajmëroi se njerëzit më vulnerabël, gra dhe fëmijë, njerëz me paaftësi fizike, të margjinalizuarit dhe të zhvendosurit, do të paguanin çmimin më të lartë nëse konfliktet do të vazhdonin në këtë situatë të krijuar.

Top Channel