Trump: Qeveria mund të ketë pjesë në kompani të caktuara

20/03/2020 03:35

Presidenti Donald Trump sinjalizoi se është dakord me një ndryshim rrënjësor në marrëdhëniet e qeverisë amerikane me industrinë private, në kushtet kur shpërthimi i koronavirusit po i sjell vështirësi të mëdha ekonomisë e vendit. Presidenti tha se do të mbështeste idenë që qeveria të marrë pjesë në kompani të caktuara.

Duke folur në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump tha: “Ne do të ndihmojmë industrinë e linjave ajrore. Do të ndihmojmë industrinë e anijeve turistike. Me siguri do të ndihmojmë industrinë e hoteleve”. Investimet e qeverisë amerikane në kompanitë publike janë të rralla, përveç rasteve për të nxjerrë nga falimentimi firmat në vështirësi financiare dhe për të shpëtuar vende pune.

Kërkesat nga kompanitë që po kërkojnë ndihmë financiare në formën e granteve të drejtpërdrejta, kredive, garancive të huasë dhe lehtësimit të taksave, për shkak të përhapjes së koronavirusit, kanë arritur në 2 trilion dollarë. Megjithatë, kompanitë rrallë kërkojnë që qeveria të ketë pronësi në to, nga frika se mund të humbasin kontrollin e biznesit të tyre. I pyetur nëse një stimul prej 1 trilion dollarësh është i mjaftueshëm, Presidenti Trump tha: “Këtë do ta dimë më vonë. Do të shohim se çfarë do të ndodhë. Nëse ne mund ta ndalojmë virusin qysh në fillim, këto para janë mëse të mjaftueshme, nëse jo, do të duhet të flasim përsëri.”

Ndërkohë, grupi i biznesit që përfaqëson prodhuesit amerikanë të pjesëve të automjeteve i kërkoi të enjten administratës Trump grante emergjente “për të mbajtur të hapura dyert e fabrikave”, si dhe ndihma të tjera për të përballuar presionet e krizës së koronavirusit. Grupi kërkoi gjithashtu subvencione për zhvendosjen e operacioneve në Shtetet e Bashkuara. Furnizuesit e pjesëve të këmbimit po goditen nga kriza për shkak se prodhuesit e automjeteve po pezullojnë prodhimin në Amerikën e Veriut dhe në Evropë për të frenuar përhapjen e virusit COVID-19./VOA

Top Channel