“Mos i çoni dëm këto ditë”/ Papa Françesku: I kërkova Zotit që të ndalonte epideminë

18/03/2020 09:33

Në një intervistë ekskluzive për gazetën italiane “Repubblica”, sa i takon emergjencës globale të shkaktuar nga Covid-19, Papa Françesku bën thirrje të rikthejmë vëmendjen te gjestet e vogla ndaj njerëzve që duam, të afërmve, fëmijëve, gjyshërve.

Aktualisht Papa i kalon ditët e tij në Vatikan, por informohet vazhdimisht rreth të rejave më të fundit, sa i takon armikut global.

“Në këto ditë të vështira, rikthehuni te gjestet e vogla dhe konkrete ndaj njerëzve që kemi pranë, një përkëdhelje për gjyshërit, një puthje për fëmijet tanë dhe njerëzit që duam. Janë gjeste të rëndësishme, vendimtare”, u shpreh papa.

Gjithashtu ai foli sa i takon “arratisjes” së tij nga Vatikani, disa ditë më parë për të vizituar kishat romake të Santa Maria Maggiore dhe San Marcello al Corso.

“I kërkova Zotit që të ndalonte epideminë. Zot, ndaloje atë me dorën tënde. U luta për këtë gjë. Zbuloni konkretitetin e gjërave të vogla, të vëmendjes që duhet të keni ndaj atyre që ju rrethojnë; familjes, miqve. Kuptoni se në gjëra të vogla ekziston thesari ynë. Mos i çoni dëm këto ditë. Ekzistojnë gjeste minimale, të cilat ndonjëherë humbasin në anonimatin e jetës së përditshme, gjestet e butësisë, dashurisë, dhembshurisë, të cilat sidoqoftë janë vendimtare, të rëndësishme. Për shembull, një pjatë e nxehtë, një përkëdhelje, një përqafim, një telefonatë … ”

 

 

 

Top Channel