Shtyhet Europiani 2020/ UEFA: Do të mbahet në vitin 2021

17/03/2020 21:27

UEFA e mori vendimin e saj në lidhje për kampionatin Evropian të futbollit në videokonferencën të zhvilluar me drejtuesit e 55 federatave të saj. Eventi më i rëndësishëm i kontinentit përsa u përket përfaqësueseve i parashikuar për t’u mbajtur këtë vit, u shty për në verën e 2021 për shkak të emergjencës coronavirus.

E para që e dha lajmin ishte Federata Norvegjeze e Futbollit për t’u konfirmuar edhe nga ato të federatave të tjera mes të cilave edhe ajo shqiptare. Evropiani i futbollit i vitit të ardhshëm do të zhvillohet në periudhën 11 qershor-11 korrik. ishte një vendim që në të vërtetë pritej të merrej nga qeveria e futbollit evropian që vendosi t’i japë prioritet mbylljes së sezonit në kampionatet kombëtare, Ligën e Kampioneve dhe Europa League.

Ideja është që të gjitha këto kompeticione në rang klubesh të mbyllen brenda periudhës maj-qershor, gjithnjë nëse situata në Kontinent do t’i kthehet normalitetit gjatë këtyre 2 muajve. Po kështu në këtë mbledhje të jashtëzakonshmne që u krye nëpërmjet videokonferencës u propozuan edhe disa hipoteza; më optimistja parashikon që kampionatet të nisin në 14 prill, ndërsa ajo më pesimistja parashikon rifillim të tyre në qershor, ndoshta në 13 qershor, ndërkohë që fundi i sezonit do të jetë në korrik.

Objektivi është që të mbyllen si kampionatet ashtu edhe Kupat duke mbajtur të pandryshuar formatet e këtyre të fundit. për Europa League mendohet që të rinisë në 30 prill, ndërsa Liga e kampioneve në 5 maj me finalet që parashikohen për t’u zhvilluar në 24 dhe 27 qershor.

Top Channel