Nga Alda Bardhyli

Musa Ramadanin do ta shihja për herë të parë në hollin e Universitetit Europian të Tiranës,më vitin 2017, ku i veshur me një këmishë me kuadrata, pantallonat me trianda, e trupin e imët ndërtoi me duar skemën e një poezie “Unë, ai , ai, ajo”.

Kishte udhëtuar nga Kosova i shoqëruar nga familja e profesori Agron Gashi për të tërhequr trofeun e çmimit Kadare për romanin “Profeti nga Praga”.

I ngjashëm me personazhin që kishte zgjedhur të ndiqte në romanin e tij, Franc Kafkën, ai dukej sikur kishte lënë Sanatoriumin e Pyllit të Vjenës në Ortman, pranë qytetit të Pernicit (ku Kafka kaloi vitet e fundit të jetës), për tu shfaqur i gjallë përpara një audience që mezi priste ringjalljen e tij. Prej vitit 1969 kur Rilindja i botoi përmbledhjen e parë me poezi “Mëkatet e Adamit”, ai numëronte dhjetëra libra me poezi, drama, tregime e novela, recensione, romane, por i tërhequr në aureolën e krijuesi, nuk kishte kërkuar lavdinë.

Për të lavdia ishte krijimi. Një latues i mirë i gjuhës shqipe, ai kishte arritur të krijonte një sintaksë e leksik të pasur, që i kishin dhënë jetë sa e sa historive dhe personazheve. Në takimin që do zhvillonim më pas me kritikë, studiuese dhe profesorë të UET, ai do të tregonte se librat e tij ishin vetë ai. Me kufijtë që i vendoste sëmundja që kishte marrë me vete, ai foli për raportet e librit mes Tiranës dhe Prishtinës, përpjekjet për të sjellë në Shqipëri një nga librat e tij më vitin 1989, por pa sukses, dhe për një brez që duket se do të ndryshonte përgjithmonë skenën letrare në Kosovë . Atë të viteve 70-të. “Brezi i viteve ’70 ka pasur autorë shumë të mirë.

Kur flisnim me Azem Shkrelin e tjerë pos Lorkias, Eseninit nuk shkonin më tutje. Ndërkaq ne ndiqnim revista që dilnin në gjuhët ish jugosllave, kroate, boshnjake etj., por e gjithë gjenerata ime e ka ditur frengjishten Rugova, Sabri Hamiti, dhe ne të tjerët nga pak. Ne lexonim gazetën serbe dhe librat më shumë. Kështu kishim kërkesa të thyenim disa klishe, steriotipe, disa kanone…ndoshta kjo na shtynte të silleshim në mënyrë bohemike, për sa lejohej në atë kohë.”, kujtonte ai. Në fakt Musa Ramadani kishte mbetur një bohem. Herë pas here ai kërkonte të shpjegonte përmes vizatimeve në ajër dhe muzikës, dy disiplina ku eksperimentoi gjithë jetën, përsos letërsisë. Ashtu si personazhi I tij, Kafka që ishte jashtëzakonisht I ndjeshëm ndaj tingujve. Kafka nuk I donte zhurmat.

Nuk e pëlqente telefonin, nuk dëshironte të përgjigjej në të.”Cfarë duhet të bëj nëse më marrin në telefon nga Praga, kur Dora nuk është në shtëpi? , kujton e dashura e Kafkës, në kujtimet e saj. E Musa Ramadani nuk mbante telefon. Komunikimet me të I bëja gjithnjë përmes mikut të tij të letrave, Agron Gashit. Ai nuk ndjehej mirë dhe kishte një ndjesi mistike ndaj gjëje mekanike. “Unë e dua muzikën e adhuroj”, shprehej Ramadani. Por nuk është vetëm muzika ajo që e afron me Kafkën një censor tragjik sic e quante, por gjithë vepra e tij. “Profeti nga praga” vepra me të cilën ai fitoi edicionin e tretë të cmimit Kadare është një libër pa kohë. Nuk është vetëm një dialog i mrekullueshëm i autorit me mjeshtrin, por dhe një rrëfim modern I prozës bashkëkohore shqipe.

Në këtë libër Kafka ëndërron, ashtu si Jozef K. ku Ramadani na kujton një prej autorëve më të rëndësishëm të absurdit të shekullit XX. Eshtë një takim I prozë shqipe me letërsinë e madhe e cila gjithnjë do të jetë frymëzuese për takime të tilla. Ramadani arrin të ecë përmes dhomave të brëndshme të një pallati që duket sikur nuk mbaron kurrë dhe arrin të zbardh shkëlqimin e tyre. “Por jeta e vërtetë e një libri fillon atëherë kur shkrimtari vdes” I shkruante Kafka në një letër një prej mikeshave të tij Milenës. Besoj se jeta e “Profetit nga Praga” dhe e gjithë librave të Musa Ramadanit do të nisë tani, me ikjen e tij, duke menduar se ai tashmë endet në vende ku nuk ka qënë kurrë më parë, ku njeriu merr frymë ndryshe dhe më me pak shkëlqim, sesa dielli I jep shkëlqim një ylli pranë tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA