Ndihmë për kompanitë/ Gjermania jep 500 miliardë euro

16/03/2020 05:31

Kriza e koronavirusit pati ndikim të madh mbi shumë kompani në Gjermani. Për këtë arsye, ekzekutivi atje ka premtuar në ndihmë të tyre një paketë ndihme si kurrë më parë, e cila llogaritet në mbi 500 miliardë euro. Qeveria federale sqaroi se dëshiron t`i ndihmojë kompanitë me programe kredie të pakufizuara.

Ministri i Ekonomisë, Peter Altmaier, deklaroi se “asnjë kompani e shëndetshme nuk duhet të falimentojë, e asnjë vend punë nuk duhet të humbasë për shkak të virusit.” Kancelarja gjermane Angela Merkel sakaq u bëri thirrje qytetarëve të reduktojnë kontaktet me njëri-tjetrin.

“Është koha kur të gjithë mund të dëshmojmë sesa mendojmë dhe sa bëjmë edhe për tjetrin. Këtë mund ta bëjnë të gjithë sepse disa lidhje këto kohë do të ndërpriten. Për shembull ekspertët na thonë që gjyshërit të mos takohen me mbesat e nipërit. Sepse duam të sigurojmë që më të rrezikuarit nga ky virus të mos kenë nevojë të shkojnë në spital, e të mos infektohen fare. Gjithkush mund të ndihmojë me sjelljen e tij që të ngadalësohet shpejtësia e infektimit e të mos mbingarkohet sistemi ynë shëndetësor”.

Gjermania ende nuk e ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në mbarë vendin. Por ndërkohë të gjitha landet kanë vendosur gjatë këtyre tri ditëve t’i mbyllin shkollat duke filluar nga dita e hënë. Për fëmijët që i kanë prindërit në profesione kritike, si policë, zjarrfikës, infermirë ose forca shpëtimi, do të vihen në dispozicion struktura kujdestarie. 8 persona kanë vderkur në Gjermani prej koronavirusit, ndërsa të prekurit janë 3795.

Top Channel