Spanja në kohë koronavirusi! Boshatisen qytetet, gjithçka vendoset në izolim

14/03/2020 19:56

COVID-19 është virusi që ka alarmuar të gjithë globin. Së fundmi një shtim të “frikshëm” të numrit të të infektuarve nga kjo epidemi, ka regjistruar Spanja, duke u kthyer kështu në vatrën e dytë më të madhe në Evropë, pas Italisë. Deri më tani në të gjithë vendin janë konfirmuar  5,753 raste të personave të infektuar nga epidemia vdekjeprurëse, ndërsa numri i vdekjeve deri më tani është fiksuar në 136 persona, shkruajnë mediat e huaja.

Numri i rasteve të konfirmuara të koronavirusit të ri në Spanjë, u rrit me më shumë se 1.500  persona, vetëm këto 24 orët e fundit, shkruajnë mediat e huaja. Për sa i përket hartës së shpërndarjes së virusit famëkeq në vendin Iberik, nga 5,753 raste të konfirmuara në të gjithë Spanjën, më shumë se 3,000 mijë persona janë regjistruar vetëm në Madrid, i cili është dhe kryeqyteti i vendit.

Sakaq, duke parë gjendjen e krijuar kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, thuhet se po përgatitë të ndalojë të gjitha fluturimet nëpër aeroportet e vendit. Po ashtu Sanchez në vazhdën e masave parandaluese, urdhëroi mbylljen e të gjitha bareve, lokaleve, restoranteve, palestrave dhe kinemave në vend, për të parandaluar në këtë mënyrë përhapjen e virusit famëkeq.

Gjithashtu është kërkuar që qytetarët të izolohen në shtëpi dhe do të lejohen që të dalin nëpër rrugë vetëm për të blerë ushqime dhe ilaçe. Për të mësuar më shumë rreth gjendjes aktuale në Spanjë si pasojë e koronavirusit, ju ftojmë të shikoni fotot e mëposhtme.

FOTO GALERI
2/16

Top Channel