Koronavirus/ Bashkësia Islame e Kosovës pezullon të gjitha aktivitetet

14/03/2020 17:52

Bashkësia Islame e Kosovës ka marrë vendim që si masa parandaluese të koronavirusit të ndërprejë të gjitha aktivitetet fetare.

Myftiu Naim Tërnava në një adresim para qytetarëve, tha se kanë vendosur të pezullojnë shkuarjen në umre, namazin u xhumasë, namazet ditore me xhematë, si dhe çdo formë tjetër të organizimit. Po ashtu, kryesia e BIK- ut ka pezulluar edhe procesin mësimor në FSI e medrese. BIK po ashtu ka dhënë edhe disa rekomandime.

Përmes një video-mesazhi të publikuar në llogarinë e Bashkësisë Islame të Kosovës në Facebook, myftiu Tërnava, tha se porosit besimtarët që të ndjekin të gjitha rekomandimet e institucioneve gjegjëse, lidhur me parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri.

“Duke u mbështetur në rrethanat e krijuara në Kosovë, me përhapjen e rasteve të të infektuarve me koronavirus, kryesia e BIK-ut pezullon përkohësisht faljen e organizuar me xhemat të namazeve ditore dhe namazeve të xhumasë, ndërsa besimtarët porositën që ditën e premte ta falin namazin e drekës si zëvendësim të namazit të xhumasë në shtëpitë e tyre, ndërsa ezani do të vazhdon të thirret në çdo kohë të namazit ditor”, tha Tërnava.

Top Channel