Londra mbështet mbajtjen e samitit të vendeve anëtare të KS të OKB-së

13/03/2020 15:53

Britania e Madhe tha të premten se e mbështet idenë e presidentit rus, Vladimir Putin, për të mbajtur një samit midis krerëve të shteteve që janë anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për të diskutuar masat ndërkombëtare të paqes dhe sigurisë.

Britania është vendi i fundit që dha pëlqimin e vet, pasi Putini, në muajin janar propozoi që të takohen udhëheqësit e Rusisë, Kinës, Shteteve të Bashkuara, Francës dhe Britanisë.

Franca dhe Kina kanë shprehur tashmë pajtimin e tyre për samitin, ndërsa një zyrtar i lartë i administratës amerikane tha në muajin shkurt se presidenti, Donald Trump, ishte i gatshëm të takohej dhe të diskutonte për kontrollin e armëve.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se Britania e Madhe kishte shprehur interes për idenë e Putinit dhe se vendi më i mirë për takimin mund të ishte sesioni i 75-të i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, i planifikuar të mbahet më 15-30 shtator në Nju Jork.

Ambasada britanike në Moskë, konfirmoi mbështetjen e Britanisë për mbajtjen e takimit.

“Britania në tërësi mbështet idenë e një takimi midis krerëve të shteteve të anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, me qëllim të diskutimit të çështjeve të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”, tha ambasada britanike.

Top Channel