Koronavirusi/ Evropa reagon ndaj ndalimit të udhëtimeve për në SHBA

13/03/2020 18:12
European Council President Donald Tusk (L) speaks to US President Donald Trump (R) as he welcomes him at EU headquarters, as part of the NATO meeting, in Brussels, on May 25, 2017. / AFP PHOTO / EMMANUEL DUNAND (Photo credit should read EMMANUEL DUNAND/AFP/Getty Images)

Bashkimi Evropian ka kritikuar vendimin e Presidentit amerikan Donald Trump për të ndaluar shumë udhëtarë evropianë të hyjnë në Shtetet e Bashkuara për 30 ditë.

Nga mesnata e së premtes me kohën e Uashingtonit, të gjithë qytetarët e huaj që kanë hyrë në zonën e Shengenit 14 ditët e fundit do të ndalohen të hyjnë, në një përpjekje për të ndalur përhapjen e koronavirusit. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell nga Londra, ky vendim shkaktoi panik tek tregjet financiare, ndërsa shtohet frika lidhur me pasojat ekonomike të pandemisë.

Në aerorportin e Frankfurtit në Gjermani, si edhe në gjithë Evropën, planet e udhëtimit janë përfshirë nga kaosi.

“Ne nuk ishim të sigurt nëse do të mund të ktheheshim, nëse diçka anulohej, prandaj unë shpenzova 3 mijë dollarë për një udhëtim tjetër”, thotë turisti amerikan Joel Hare.

“Është një masë që zoti Trump e ka marrë sepse është i pazoti dhe nuk ka qenë në gjendje të marrë masa atje, prandaj po fajëson një armik të jashtëm, në këtë rast Evropën”, thotë Miguel Paracuellos, një spanjoll me banim në Majami.

Njoftimi tronditës shkaktoi luhatje të mëdha në tregjet financiare, që goditën rëndë aksionet e linjave ajrore.

Duke justifikuar ndalimin, Presidenti Trump tha se vendet e Bashkimit Evropian nuk “kishin marrë të njëjtat masa” si Shtetet e Bashkuara, megjithëse udhëheqësit e Bashkimit Evropian e hodhën poshtë atë pretendim.

“Vendimi i Shteteve të Bashkuara për të vendosur një ndalim fluturimi, u mor në mënyrë të njëanshme dhe pa këshillime. Bashkimi Evropian po merr masa të forta për të ndaluar virusin”, tha Eric Mamer, zëdhënës i Komisionit Evropian.

Britania dhe Irlanda janë përjashtuar nga ndalimi megjithëse kanë qindra raste. Arsyetimi i Uashingtonit është se ato nuk janë pjesë e Shengenit. Kryeministri britanik, Boris Johnson tha se gjendja do keqësohet.

“Më duhet t’ju them të vërtetën, duhet t’i them të vërtetën publikut britanik, shumë familje do të humbin të dashurit e tyre para kohe”.

Në Shtetet e Bashkuara numri i rasteve me koronavitus ka arritur në mbi 1300. Me shpalljen e një pandemie globale nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, duhen marrë masa më drastike thotë mjeku virolog, Sterghios Moschos.

“Mendimi im është se kufizimet e qarkullimit janë të nevojshme në të gjitha vendet që kanë qindra raste, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Britaninë dhe shumë vende të Bashkimit Evropian”.

Në Italim, ku rreth 1 mijë vetë kanë vdekur nga virusi, të gjitha dyqanet dhe shërbimet jo të domosdoshme, janë urdhëruar të mbyllen.

“Spitalet atje janë të mbingarkuara. Nuk kanë më as oksigjen të mjaftueshëm për ata të cilëve u merret fryma. Nëse kjo nuk e vë situatën në perspektivë për ato që duhen bërë në spitalet e pjesës tjetër të botës, nuk e di se çfarë tjetër duhet të ndodhë”, thotë doktor Moschos.

Shumë vende të BE-së po rikthejnë kontrollet në kufijtë e brendshëm. Me kufizimet e fundit të vendosura nga Shtetet e Bashkuara, kostoja globale ekonomike po rritet ditë pas dite./VOA/

Top Channel