Bashkimi Evropian reagoi ashpër ndaj vendimit të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për të ndaluar fluturimet nga Europa për në SHBA, me argumentin se ai është marrë “në mënyrë të njëanshme” dhe “pa konsultime”.

Duke folur nga Zyra Ovale të mërkurën në mbrëmje, presidenti amerikan tha se fluturimet drejt Amerikës nga 26 vende të Europës – që janë pjesë e zonës së lëvizjes së lirë Schengen – do të pezullohen për 30 ditë, për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të koronavirusit në vend. Mbretëria e Bashkuar, Irlanda dhe vendet e tjera jashtë Schengenit nuk preken nga kjo ndalesë. “Koronavirusi është krizë globale, nuk është i kufizuar në ndonjë kontinent dhe kërkon bashkëpunim në vend të veprimit të njëanshëm”, thanë përmes një deklarate të përbashkët presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel.

“Bashkimi Evropian është duke ndërmarrë veprime të fuqishme për të kufizuar përhapjen e virusit”, theksuan ata. Dhjetëra vende të Europës janë prekur nga një koronavirus i ri, që besohet se e ka origjinën në Kinë. Vendi i goditur më rëndë është Italia, me mijëra të infektuar e qindra të vdekur. Rastet e para të Covid 19 u shfaqën në Wuhan të Kinës në muajin dhjetor, e që prej atëherë, është shtrirë ngadalë në mbarë globin, duke e kthyer këtë sëmundje nga një rrezik lokal, në një emergjencë botërore. Në SHBA janë mbi 1,300 raste të konfirmuara me koronavirus, ndërsa 38 pacientë kanë humbur jetën.

Top Channel