Kroacia nuk ka shënuar asnjë rast të ri infektimi nga koronavirusi, deklaroi ministri vendas i Shëndetësisë, Veli Berosh.
Duke folur për Radio-Televizionin e Kroacisë, Berosh deklaroi gjithashtu se testet e tre pacientëve të parë që u konfirmuan me Covid 19 në datat 25 dhe 26 shkurt, tani kanë dalë negative. “Nëse kështu do të rezultojnë dhe analizat e tjera, brenda 48 orëve ata do të shkojnë në shtëpi”, sqaroi ministri. Kroacia numëron gjithsej 19 të infektuar dhe numri i tyre nuk ka lëvizur.
Aktualisht, në qytetin e Splitit, 28 vetë ndodhen në karantinë, ndërsa në Dubrovnik janë izoluar dhe dy të tjerë. Nga vendet e Ballkanit, aktualisht vetëm Mali i Zi dhe Kosova nuk kanë raste të regjistruara me koronavirus. Ministri kosovar I Transportit dhe Ambientit Lumir Abdixhiku, njoftoi se është marrë vendim për pezullimin e përkohshëm të të gjitha linjave ajrore dhe tokësore nga Gjermania, Franca, Zvicra dhe Italia, në përpjekje për të penguar përhapjen e koronavirusit. Ministri sqaroi se vendimi u mor ne bazën e në rekomandimin e Institutit të Shëndetit Publik të Kosovës për zonat me rrezik të mesëm dhe rrezik të lartë.
Ai hyn në fuqi nga 13 marsi, në ora 15:00. Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Agim Veliu, kërkoi nga veç të tjerash mbylljen e të gjitha shkollave që funksionojnë në veri të vendit me plan dhe program të Serbisë. Qeveria e Kosovës mbajti të mërkurën një mbledhje të jashtëzakonshme, ku vendosi pezullimin e mësimit në të gjitha shkollat publike dhe private, të të gjitha niveleve, deri në 27 mars, si masë parandaluese kundër koronavirusit. Bazuar në informacionet e Radios Evropa e Lirë nga terreni, mësimi në shkollat serbe në Kosovë, si në jug ashtu edhe në veri të Lumit Ibër, të enjten është zhvilluar normalisht.
Top Channel