Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mund të takohet me presidentin Hashim Thaçi të premten pasdite.

Kjo është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga zyra e kryeministrit, një ditë pasi ky i fundit, refuzoi takimin me presidentin në cilësinë e liderit të lëvizjes vetëvendosje. Thaçi ftoi Kurtin të takohej në kuadër të një serie takimesh me liderët e forcave politike në vend, por ai nuk shkoi në zyrën e presidentit.

Ky i fundit tha se e kishte ftuar Kurtin në takim që të reflektonte ndaj kërkesave të SHBA-së për heqjen e menjëhershme të tarifës 100 përqind, të vendosur nga qeveria e Kosovës, mbi importet serbe dhe ato nga Bosnja e Hercegovina, si kush i domosdoshëm për vazhdimin e dialogut për arritjen e një marrëveshjeje paqësore mes Kosovës dhe Serbisë.

Në të kundërt, SHBA ka paralajmëruar Kosovën se do të përballet me pasoja, pa përjashtuar edhe mundësinë e tërheqjes së trupave amerikane nga vendi. Për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë i vetmi vend që i ka qëndruar afër Kosovës në çdo kohë të vështirë ndërkohë që Bashkimi Evropian është treguar i padrejtë në raport me Kosovën. Thaçi madje tha pas një takimi me të dërguarit gjermanë e francezë, të martën, se BE nuk mund të përfshihet në dialogun Kosovë-Serbi pa hequr më parë vizat për qytetarët e Kosovës.

Top Channel