Në Kosovë nuk është shënuar asnjë rast pozitiv me koronavirusin e ri dhe sëmundjen COVID-19, që shkakton ai.

Deri tani janë testuar rreth 80 mostra të personave të dyshuar me këtë virus, por që të gjitha kanë rezultuar negative. Për dallim nga shumë vende tjera të prekura me koronavirusin e ri, në Kosovë ende nuk ka ndonjë masë kufizuese. Institucionet arsimore funksionojnë normalisht ndërkohë që tubimet nuk janë të ndaluara. Megjithatë, Qeveria e Kosovës ka miratuar planin për reagim lidhur me koronavirusin e ri, ku përfshihet një buxhet prej 10 milionë eurosh, i cili thuhet se do të jetë i mjaftueshëm për t’i pajisur të gjitha institucionet shëndetësore, emergjencat si dhe për adaptimin e objekteve për të trajtuar rastet që mund të paraqiten. Sipas zyrtarëve kosovarë janë marrë masa në pikat e kalimit kufitar dhe në aeroportin e Prishtinës, ku të gjithë personat i nënshtrohen kontrolleve për koronavirusin.

Ministria e Arsimit në Maqedoninë e Veriut ka urdhëruar mbylljen e shkollave dhe të institucioneve parashkollore në të gjithë vendin, duke filluar nga e mërkura, si pjesë e masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Po ashtu, ndeshjet sportive do të luhen pa praninë e tifozëve. Në këtë vend janë regjistruar shtatë raste me virusin COVID-19, në mesin e tyre një mjeke që kishte vizituar Italinë. Të gjithë pacientët janë në gjendje të qëndrueshme, sipas autoriteteve.

 

Top Channel