Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është shprehur i bindur se ka një marrëveshje të gatshme për dialogun, derisa akuzat kundër tij i ka quajtur se po bëhen me qëllim të thyerjes së tij si kryeministër.

Në seancën e jashtëzakonshme, Kurti shprehu bindjen se ka një marrëveshje të gatshme të arritur ndërmjet presidentit Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq.

Kurti: Unë jam i bindur që ka marrëveshje të gatshme

Video

“Nuk bëhet fjalë për heqje të tarifës e për fillim të dialogut, kjo është gënjeshtër. Bëhet fjalë për heqje të tarifës e përmbyllje të dialogut me një marrëveshje të gatshme midis dy presidentëve. Unë jam i bindur që ka marrëveshje të gatshme dhe ajo çfarë po kërkohet është të thyhet Qeveria e Kosovës, të thyhem unë paraprakisht si kryeministër në mënyrë që të marrë fuqi ai që në emër të Kosovës në negociata sekrete ka bërë marrëveshje që tash të gatshme do ta servojë, jo për të filluar dialogë, por për të mbyllur çfarëdo mundësie për dialog. Edhe vetëm 10 për qind të ishin gjasat që ka marrëveshje të gatshme ne duhet të jemi tejet të kujdesshëm. E unë jam i bindur që ka marrëveshje të gatshme. Ky është problemi, ky është siç thuhet elefanti në dhomë. Nga shoqërimi dy vjeçar e gjysmë në sofrën e shkëmbimit territorial ka dal një ujdi aty. Por, e keni vërejtur çfarë po thotë presidenti i Serbisë me kë të negocioj unë, me Kurtin në Bruksel apo me Thaçin në Uashington, me fjalë të tjera ai po thotë përcaktojeni cili, e për t’u përcaktuar ky i dyti në Uashington kërkohet që paraprakisht t’u thyhet ky i pari në Prishtinë”, tha Kurti.

Kurti tha se ajo që po ndodh nuk është duke i pëlqyer, por shtoi se ajo që mund të ndodhë nëse hiqet taksa pa reciprocitet do të ishte më e dëmshme dhe një gabim i pafalshëm historik.

“Mbajtja e tarifës 100 për qind siç është e pa reciprocitet është pozicion ekstrem, pra të thuash tarifë 100 për qind e pa çarë kokën është pozicion ekstrem. Pra, të thuash tarifë qind për qind edhe nuk çajë kokën për reciprocitetin është pozicion ekstrem. Edhe heqja e plotë dhe e menjëhershme e tarifës 100 për qind pa e vendosur e pa përmendur fare reciprocitetin po ashtu është pozicion ekstrem. Këto janë dy ekstreme, ne duhet të jemi kundër këtyre ekstremeve. Ne nuk duhet të jemi ekstremistë, duhet të jemi normalë. Unë jam i bindur që ka një qëndrim normal e ky është zëvendësimi i tarifës me reciprocitetin dhe ka një qëndrim sublim normal e ky është zëvendësimi gradual dhe përgjatë kësaj do të krijoheshin masat e mirëbesimit për dialogun”, ka thënë Kurti.

Kurti akuzoi presidentin Thaçi s e ka pësuar debakël në Shtëpinë e Bardhë, pasi është kthyer pa marrëveshje dhe pa investime në ekonomi.

“Të shkosh në Shtëpi të Bardhë si president i Republikës, të qëndrosh disa ditë, të mos e takosh presidentin amerikan, të mos e takosh as zëvendës presidentin amerikan e të kthehesh pa marrëveshje politike dhe pa investime në ekonomi është debakël. Mendoj që ishte e turpshme shkuarja dhe kthimi i presidentit aktual pa u takuar as me të parin, e as me të dytin dhe pa bërë as marrëveshje politike as pa sjellë investim ekonomik. Çfarë shpenzojmë ne me këtë president që pëson kësi dështimesh, të ishin të tij do t’ia bënim kollaj, por i bënë në emër tonë, e që besa edhe me paratë tona. Por, mbase siç kemi qeveri të re duhet të kemi edhe president të ri”, tha ai.

Kurti tha se si kryeministër nuk është antiamerikan, ndë rsa akuzoi presidentin Thaçi se është antievropian.

“Unë nuk jam antiamerikan, unë jam kundër antiamerikanëve, por më duhet ta them një gjë presidenti është antievropian. Pikërisht në kohën kur presidenti aktual i Kosovës deklarohet hapur si antievropian disa më akuzojnë mua padrejtësisht për antiamerikan. Ai vetë tha jam antievropian, unë jam edhe pro amerikan edhe pro evropian. Unë besoj në lidhjen transatlantike, ai u deklarua si antievropian dhe filluan sulmet e akuzat e shpifjet për mua si antiamerikan. Pra, unë i dua edhe SHBA, Bashkimin Evropian, na nevojiten të dyja. Pa SHBA nuk ka NATO, pa NATO nuk ka siguri as në Evropë se lërmë në Ballkanin tonë”, tha ai.

Kurti akuzoi Thaçin se po sillet më keq ndaj Bashkimit Evropian sesa ndaj Serbisë kur bëhet për Lajçakun, Borrellin, Daçiqin e Vuçiqin, gjë e cila sipas tij është gabim.

Kreu i qeverisë tha se është i gatshëm të shkojë në Uashington si kryeministër bashkë me ekipin e tij dhe kryetaren e Kuvendit Vjosa Osmani për t’i diskutuar të gjitha çështjet. Ai tha se kanë nevojë për një proces drejt një marrëveshje të pranueshme për SHBA-në, BE-në dhe rajonin. /KosovaPress/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA