Presidenti afgan, Ashraf Ghani u betua për mandatin e dytë si president por ndërkohë edhe rivali i tij, Abdullah Abdullah, ka mbajtur një ceremoni të ngjashme. Qindra persona kanë qenë pjesë e ceremonive të inaugurimit, që u zhvilluan në dy pallate afër njëri tjetrit në qendër të Kabulit.

Ceremonitë u mbajtën njëkohësisht pas përpjekjeve të fundit për t`i dhënë fund mosmarrëveshjeve mes Ghanit dhe Abdullahut për zgjidhjen e krizës. I dërguari amerikan në Afganistan, Zalmai Kalilzad dhe gjenerali amerikan, Scott Miller, komandant i forcave ndërkombëtare të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara në Afganistan, ishin tek inaugurimi i Ganit.

Disa orë para nisjes së ceremonive, Abdullah shkroi në rrjetin social Twitter se “askush nuk duhet të nënvlerësojë përkushtimin tonë për demokraci të vërtetë”. “Anullimi i votave mashtruese është zgjidhja”, ka shtuar ai.

Mosmarrëveshjet në mes të të dyja palëve kanë nisur prej mbajtjes së zgjedhjeve më 28 shtator, kur autoritetet kanë shpallur fitues Ghanin. Abdullah, në anën tjetër ka shpallur veten fitues dhe është zotuar për formimin e qeverisë së vet.

Këto mospajtime kanë lënë të shqetësuar aleatët e Kabulit për të ardhmen e këtij shteti, teksa tentojnë të arrijnë paqen me militantët talibanë. Për këtë arsye, Uashingtoni në të kaluarën u ka kërkuar të dyja palëve që të anulojnë ceremonitë e inaugurimit.

Top Channel