Koronavirusi në Itali/ 168 viktima në 24 orët e fundit

10/03/2020 18:25

Emergjenca e koronavirusit në Itali nuk ka të ndalur. Numri i vdekjeve shkoi në 631, apo 168 brenda 24 orësh, që do të thotë dyfishi krahasuar me një ditë më parë.

280 janë të shëruarit, 877 personat në terapi intensive. Gjithsej nga virusi në vendin fqinj janë prekur 8.514 vetë. Kryeministri Giuseppe Conte deklaroi një ditë më parë se nuk do të ketë më zona të kuqe.

“Do të ketë një zonë të vetme nën mbrojtje: e gjithë Italia”, ishin fjalët e tij. Qeveria italiane që në fundjavë kishte mbyllur pjesë të mëdha të Italisë veriore. Ndalimi i hyrjes dhe daljes vlen për më shumë se 15 milionë banorë të gjithë Lombardisë, një pjesë të rajonit Veneto, veriun e Emilia-Romagna-s dhe Lindjen e Piemonte-s.

Përjashtimet janë të mundshme vetëm për arsye urgjente profesionale ose familjare dhe në raste urgjente shëndetësore. Qeveria italiane urdhëroi në fundjavë edhe ndalimin e ngjarjeve kulturore, sportive dhe fetare. Të gjitha aktivitetet sportive, përfshirë lojërat e Serisë A, do të pezullohen. Muzetë, kinematë dhe teatrot janë mbyllur gjithashtu në mbarë vendin. Në Tirolin e Jugut sezoni i skive përfundoi para kohe, të gjitha stacionet e skive do të mbyllen nga e marta në mëngjes, tha Ministri për Çështjet Rajonale, Francesco Boccia.

Shkollat dhe universitetet në të gjithë Italinë janë mbyllur që nga e enjtja. Megjithatë, lidhjet ndërkombëtare të trenave dhe fluturimet nuk janë ndaluar nga shteti, dhe transporti publik vazhdon pa kufizime. Një arsye për zgjerimin e pashembullt të ri të zonës së sigurisë mund të jetë gjithashtu fakti që shumë njerëz nga zonat e bllokuara në veri kishin arritur të shkojnë në jug, përpara se të fillonin kontrollet.

Top Channel