Në studion e emisionit “Top Talk’ të drejtuar nga gazetari Denis Dyrnjaja, ishte e ftuar ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj. Në studio biseda u orientua edhe për masat e ndërmarra nga qeveria për sa i përket koronavirusit.

Top Channel gjatë gjithë ditës së sotme ka ndjekur nga afër situatën e koronavirusit në vendin tonë, pasi mesnatën e kaluar, u konfirmuan dy rastet e para të epidemisë në Shqipëri. Të infektuarit ishin babë e birë dhe kishin udhëtuar së fundmi në Firence të Italisë, nga ku dyshohet se janë infektuar me virusin famëkeq. Sakaq, në studio ministrja sqaroi se qeveria është duke i marrë të gjithë masat dhe nuk duhet t’i lemë vend panikut. Për sa i përket të burgosurve, deri më tani është vendosur për t’iu reduktuar takimet me familjarët. Por duke parë gjendjen e krijuar, ministrja u shpreh se është duke u munduar të aplikohet lidhja direkte nëpërmjet aplikacionit “Skype”, për të bërë të mundur në këtë mënyrë takime virtuale midis familjarëve dhe personave që janë duke vuajtur dënimin nëpër institucionet e burgjeve.

Etilda Gjonaj:

Në fakt ne kemi marrë disa masa paraprake, përpara se qeveria të dilte me vendimet e sotme. Padyshim kanë qenë disa masa paraprake parandaluese, me qëllim që jo vetëm të verifikonim të gjithë kushtet, pajisjet, pajimet e mbrojtjes së stafit shëndetësor në institucionet shëndetësore. Po njëkohësisht duke përgatitur protokollet nëse do të kishte raste, të cilat do të evidentoheshin në Shqipëri. Dhe që dje në mesnatë ku u përfshi në zbatim protokolli i rekomanduar dhe nga OBSH-ja, (Organizata Botërore e Shëndetit) për masat e përgjithshme lidhur me parandalimin dhe mundësisht vonesën e përhapjen e rasteve të koronavirusit momentin që u identifikuan dy rastet e para. Unë kam nxjerr dy urdhra sot në mëngjes, duke vendosur në radhë të parë zbatimin e protokollit shtesë, i cili ka të bëjë me masat e shtuara shëndetësore. Një kujdes i veçantë duhet kushtuar grupeve specifike, siç janë atë të cilët vuajnë nga sëmundje kronike, kategoritë e të moshuarve që ndodhen në institucionet shëndetësore. Por njëkohësisht edhe ata të cilët hynë për herë të parë në institucion, të cilët do të duhen të qëndrojnë në një observim pak më të gjatë sesa ajo që ka programuar rregullorja e burgjeve, duke iu përshtatur kështu dhe afatit të përcaktuar nga protokolli i zbatimit të Ministrisë të Shëndetësisë. Përtej faktit që institucionet e burgjeve janë absolutisht të sigurta dhe nuk kanë vend për panik. Në rastin konkret edhe për njerëzit që ndodhen në këtë institucione, si për punonjësit e policisë, ashtu edhe për personat që iu është privuar liria dhe ndodhen në këto institucione. Për faktin që ne do të marrim dhe do të shikojnë dhe masa të tjera, të cilat do t’i përgjigjen gjithmonë kujdesit dhe mbrojtjes së shëndetit të këtyre personave që ndodhen aty.

Denis Dyrnjaja:

Unë jam një person që kam një të afërmin tim të burgosur, mund të jem mbartës i sëmundjes dhe kërkoj një takim dhe mund ta sjell virusin në burg. Është parashikuar kjo gjë, pra do të ketë reduktim të takimeve apo masa të pezullimit të takimeve e të dënuarve me familjarët.

Etilda Gjonaj:

Në masat paraprake që ne kemi ndërmarrë kanë të bëjnë kryesisht me zbatimin e protokollit të shërbimit shëndetësor, duke krijuar një kujdes të veçantë edhe stafit shëndetësor që trajtojnë personat e dënuar në institucione apo punonjësit e policisë, që kanë një kontakt të drejtpërdrejtë në momentin e parë me familjarët e të dënuarve. Aktualisht ne jemi në këtë masa që kanë të bëjnë me kujdesin shëndetësorë. Por padyshim në një plan B, nëse do të ketë ndonjë shtim të rasteve gjithmonë në interes të shëndetit të atyre që ndodhen brenda, të kemi dhe një pezullim të takimeve, e cila është dhe një masë më drastike. Aktualisht do të shikojmë mundësinë e reduktimit aq sa mundemi të takimeve me familjarët. Por nga ana tjetër, kemi shtuar masat një për të rritur numrin e komunikimeve telefonike të të dënuarve me familjarët e tyre dhe nga ana tjetër po merremi sot me përfshirjen e një mënyre tjetër shërbimi, që ka të bëjë pikërisht me komunikimit nëpërmjet “Skype” të dënuarve me familjarët e tyre. Për të mos humbur komunikimin dhe duke pasur gjithmonë parasysh që situata të tilla krijojnë panik, pavarësisht se nuk kanë vend për panik. Të kenë mundësinë që të komunikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë më shumë me familjarët e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA