Prokuroria e Posaçme, SPAK mbylli hetimet këtë të hënë dhe dërgoi si të akuzuar në gjykatën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ish prokurorin e përgjithshëm Adriatik Llalla.

Ai akuzohet për deklarim të pasaktë të pasurive në tre raste, sipas një hetimit të çelur në prokurorinë e Durrësit, menjëherë sapo organet e vettingut dorëzuan rezultatet e tyre, pikërisht në momentin ku ish prokurori i përgjithshëm u dorëhoq nga e drejta për të vazhduar udhëtimin në drejtësi.

Kjo solli gjithashtu ndërprerjen e procesit të vettingut dhe daljen nga sistemi të Llallës për 15 vitet e ardhshme, por ndërkohë deklarimi i pasaktë referuar deklaratave të firmosura prej tij në ILDPKI është kthyer në një çështje penale. Kjo çështje do të thotë se mjaft subjekte të tjerë të përjashtuar nga drejtësia, pritet të kenë të njëjtin fat, edhe pse prokuroritë janë mjaft të rezervuara për rastet se kur akuza ka kërkuar materiale mbi konkluzionet e vettingut.

Ndërkohë, siç thuhet në njoftimin zyrtar të SPAK , Adriatik llallës ju komunikua akuza e mos deklarimit dhe fshehjes së pasurisë, sipas nenit 257 a. Pokurori i posaçëm i SPAK, Klodian Braho mendon se ish prokurori i përgjithshëm e ka kryer këtë vepër më tre raste. Aktualisht thuhet më tej në njoftim prokuroria e posaçme po kryen veprimet administrative për të dërguar aktet e procedimit penal në gjykatë.

Në të vërtetë hetimi për ish prokurorin e përgjithshëm Llalla nisi pikërisht për çfarë SPAK e finalizoi çështjen, referuar deklaratave të plotësuara nga Adriatik Llalla dhe të dorëzuara prej tij pranë ILDKPI. Çështja hetimore për ish kryeprokurorin, u regjistrua fillimisht në Durrës në mars 2018 dhe më tej për shkak se u shtuan edhe akuza të tjera, dosja kaloi për kompetencë pranë ish prokurorisë së krimeve të rënda. Por SPAK që e mori hetimin pasi krimet e rënda u shkrinë nuk mundi të vërtetojë edhe dyshimet e tjera duke lënë vetëm atë të mos deklarimit dhe fshehjes së pasurisë , ndërsa pushoi hetimet për veprat e shpërdorimit të detyrës, pastrimit të parave dhe mos deklarim të të hollave në kufi. mbyllja e hetimeve u krye pak ditë përpara se SPAK ti skadonte afati dy vjeçar i çeljes së procedimit, ndaj njërit prej zyrtarëve më të lakuar edhe nga ndërkombëtarët

Top Channel