Protestat e dhunshme/ Parlamenti mblidhet të enjten, opozita kërkon interpelancë urgjente me Ervin Demon

20/10/2026 17:32

Në një kohë kur protestat vijojnë në vend, Kuvendi i Shqipërisë ka njoftuar zhvillimin e seancës plenare ditën e enjte, më 22 tetor, në orën 10:00.

Kujtojmë se seanca e së enjtes së kaluar u anulua për shkak të protestave.

Sipas urdhrit të firmosur nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, në rendin e ditës janë parashikuar disa interpelanca me ministra, si dhe shqyrtimi i projektligjeve dhe projektvendimeve.

Deputetët e opozitës kanë kërkuar një interpelancë urgjente me ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, ndërsa deputeti Ermal Pacaj dhe deputeti Tedi Blushi kanë kërkuar interpelanca me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi. Blushi ka kërkuar gjithashtu një interpelancë me ministrin e Financave, Petrit Malaj.

Në rendin e ditës përfshihet edhe projektvendimi për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale, si dhe disa projektligje që lidhen me shërbimet e pagesave, parandalimin e pastrimit të parave, të drejtat e autorit dhe treguesit gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale.

Top Channel