RKI shpall Tirolin Jugor zonë të rrezikuar nga koronavirus

07/03/2020 10:58

Instituti Robert Koch ka renditur Tirolin Jugor në radhën e rajoneve të rrezikuara nga virusi Korona. Atje ka pasur deri tani dy persona të infektuar. Në Gjermani është shtuar numri i të infektuarve.

Presidenti i institutit Robert Koch (RKI) në Berlin, Lothar Wieler, tha se vendimi për renditjen e Tirolit Jugor në këtë listë është marrë për shkak të përhapjes së virusit në veri të Italisë. Në Gjermani ndërkohë janë regjistruar 36 raste të infektimeve me virusin Korona, nga persona që kanë qenë në Tirolin Jugor. Si zona të rrezikuara në Itali konsiderohen edhe Emilia-Romanja, Lombardia dhe qyteti Vo, në provincën Padova të Venetos. Të rrezikuara janë edhe disa rajone në Kinë, në Korenë e Jugut dhe Iran. Ministria e Jashtme në Berlin ka bërë thirrje që të mos udhëtohet në këto rajone, nëse nuk është e nevojshme.

Ndërkohë në Gjermani është rritur numri i të infektuarve në 534, që është 134 më shumë se të enjten (05.03) pasdite. Virusi është përhapur ndërkohë në 15 lande të Gjermanisë. Deri tani vetëm në Saksoni-Anhalt nuk është regjistruar asnjë rast, ndërsa më së shumti ka në Renaninë Verioe – Vestfali sipas ekspertëve të RKI, i cili merret me vlerësimin e gjendjes së përgjithshme në Gjermani dhe jep sugjerime.

RKI pohon se përhapja e virusit Korona ende nuk ka arritur shkallën më të lartë në Gjermani dhe nuk dihet kur do të ndodhë kjo. “Ne duam që sa më shumë të parandalojmë përhapjen”, thekson Wieler. Por në Gjermani po shtohet numri i të infektuarve dhe mendohet se kështu mund të vazhdojë në ditët dhe javët në vijim.

Spahn nuk kufizon lëvizjet

Pavarësisht përhapjes së virusit Korona, ministri i Shëndetësisë Jens Spahn pohon se ende nuk ka nevojë për kufizime të udhëtimeve brenda Bashkimit Evropian. Në samitin e minsitrave të shëndetësisë në Bruksel ai tha, se deri tani nuk është aspak e nevojshme për kufizime të tilla. Ministrat e 27 vendeve anëtare të BE janë takuar për herë të dytë këtë javë për këshillime.

Gjendja ka ndryshuar, thotë Spahn. Në samitin e parë jemi këshilluar si të parandalojmë ardhjen e virusit Korona në Evropë, ndërsa tani kemi një valë të sëmundjeve. “Tani duhet të punojnë së bashku për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të sëmundjes.”Në mbarë Evropën janë regjistruar deri ditën e enjte rreth 4200 vetë të prekur në vendet e BE. Në Gjermania nuk ka pasur deri tani asnjë rast vdekjeje, ndërsa në BE janë regjistruar 112 raste vdekjesh.

Virusi po përhapet edhe në SHBA

Virusi Korona ka mbërritur edhe në shumë pjesë të SHBA. Deri të enjten në këtë vend janë regjistruar 150 raste. Të paktën 12 persona kanë vdekur, në 17 shtete të SHBA-së. Zv/presidenti Mike Pence, i cili është koordinator i luftës kundër këtij virusi, ka premtuar ndihma për zonat e prekura. Të premten presidenti Donald Trump do të akordojë 8,3 miliardë dollarë ndihma. Një ditë më parë këto ndihma i ka miratuar edhe Kongresi. Virusi ka ndikuar edhe në rënien dramatike të vlerave në tregun e aksioneve në Wall Street. Koncernet Google, Microsoft, Amazon dhe Facebook kanë kërkuar që më shumë se 100.000 të punësuarit e tyre në Seattle të punojnë nga shtëpia. Facebook dhe Google kanë sugjeruar punonjësit e tyre të punojnë nga shtëpia edhe në San Francisco.

Shtohet sërish numri i infektimeve në Kinë

Lajme të këqija vijnë edhe nga Pekini. Pas një periudhe të shkurtër të uljes së numrit, të enjten (05.03) sërish është shtuar numri i infektimeve. Autoritetet kineze lajmërojnë 143 raste të reja të infektimeve dhe 30 raste vdekjesh. Ndërkohë në Kinë është rritur numri i të infektuarve në 80.500, ndërsa kanë vdekur 3042 vertë.

Virusi ka mbërritur edhe në Vatikan

Në territorin e Vatikanit është regjistruar rasti i parë i inflektimit me virusin Korona. Zëdhënësi i Vatikanit Matteo Bruni konfirmoi, se ndërkohë janë dezinfektuar ambulancat në Vatikan, sepse të enjten atje është trajtuar një pacient i sëmurë me këtë virus./DW/

Top Channel