Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu inspektoi nga afër punimet për rindërtimin e pediatrisë së spitalit rajonal Durrës, e cila do t’u shërbejë rreth 55 mijë pacientëve në vit.
“Me buxhetin e vitit 2020 ne garantojmë përfundimin e punimeve për rikonstruksionin e pediatrisë në spitalin e Durrësit. Punimet po ecin me ritme shumë të mira dhe besojmë se pediatria do të jetë gati para afatit, brenda verës së këtij viti. Do të ketë një kapacitet prej 70 shtretërish dhe do të pajiset me aparatura të teknologjisë së lartë”, tha Manastirliu.
Duke theksuar se në total do të investohen 3 milionë dollarë për infrastrukturën dhe për pajisjet mjekësore, Manastirlu tha se investimet në spitale do të vazhdojnë për fuqizimin e shërbimeve pediatrike në vend.
“Nuk është vetëm Durrësi ku po investojmë për pediatrinë. Kemi hapur kantierin e shëndetësisë në QSUT, ku po investohet për rindërtimin dhe zgjerimin e Pediatrisë. Po ashtu është duke përfunduar dhe pediatria në spitalin e Fierit. Vëmendja e Qeverisë është për të siguruar kushte sa më të favorshme mjekëve dhe infermierëve dhe për të garantuar kushte sa më cilësore për fëmijët”, u shpreh Manastirliu gjatë inspektimit të punimeve në pediatrinë e Durrësit.
Top Channel