Përmes një njoftimi zyrtar, Prokuroria e Posaçme SPAK ka bërë me dijeni se janë marrë në shqyrtim rastet e paraqitura nga OFL-ja sa i takon sekuestrimit të disa pasurive.
Në total janë 101 pasuri të dërguara për vlerësim sekuestro, 71 automjete dhe 30 janë pasuri të paluajtshme (truall dhe objekte).
Ndër kërkesat e dërguara, SPAK ka marrë nën shqyrtim 27 të tilla, nga ku për 31 pasuri ka ka vlerësuar të ligjshme sekuestron e bërë nga Policia e Shtetit dhe ka kërkuar vendosjen e sekuestros nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Ndërkohë për 29 pasuri është vlerësuar se sekuestro në kushtet e emergjencës apo kërkesa për sekuestrim e paraqitur nga Policia e Shtetit është bërë në kundërshtim me kërkesat e Aktit Normativ Nr.1, datë 31.012020 dhe në këto kushte është vendosur kthimi i materialeve Policisë së Shtetit.
Nga 31 pasuritë e dërguara nga Prokuroria e Posaçme në gjykatë për sekuestro, 12 pasuri janë të paluajtshme (truall dhe objekte të ndryshme) dhe 19 pasuri janë automjete të ndryshme. Ndërkohë nga 29 pasuritë, për të cilat është vlerësuar se sekuestro në kushtet e emergjencës apo kërkesa për sekuestrim e paraqitur nga Policia e Shtetit është bërë në kundërshtim me kërkesat e Aktit Normativ Nr.1, datë 31.012020, rezulton se 18 pasuri janë të paluajtshme (truall dhe objekte të ndryshme) dhe 11 pasuri janë automjete të ndryshme.
Prokuroria e Posaçme është duke vlerësuar 35 kërkesat e tjera të paraqitura nga Policia e Shtetit, të cilat përfshijnë 41 pasuri, (automjete të ndryshme), për të cilat do të merren vendimet përkatëse brenda afatit ligjor prej 15 ditësh nga data e paraqitjes së kërkesës.
Top Channel