Gruaja që u dhunua natën e kaluar nga bashkëshorti i saj në Durrës kishte kërkuar divorcin prej tij. 50-vjeçari njihet si person i dhunshëm në marrëdhëniet bashkëshortore.
Natën e kaluar ai e ka dhunuar fizikisht bashkëshorten, nënën e 4 vajzave të tij dhe kur e ka lënë pandjenja ka menduar se ka vdekur dhe ka tentuar t’i japë fund jetës me varje. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:15, në zonën e Plazhit, lagjja nr.13 në Durrës.
Sapo është njohur me kërkesë-padinë e bërë nga gruaja për divorc Artan Hasa, 50 vjeç, është bërë agresiv dhe ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij 42- vjeçare, duke e lënë pa ndjenja. Gruaja e dhunuar ndodhet nën kujdesin e mjekëve në spitalin rajonal të Durrësit. Ajo është jashtë rrezikut për jetën. Kanë qenë vajzat e çiftit Hasa që kanë njoftuar për sherrin e dhunshëm në familje.
Duke menduar se i ka shkaktuar vdekjen së shoqes, i frikësuar Hasa ka tentuar të vetëvaret, por u shpëtua nga forcat e policisë që mbërritën në shtëpinë e çiftit dhe bënë ndalimin e tij. Ngjarja ndodh në prag të ditës ndërkombëtare të gruas, në një kohë kur Durrësi regjistroi dhe 2 viktima të dhunës në familje gjatë muajit shkurt. Nesër pritet një marshim nga gratë durrsake në shenjë proteste ndaj dhunës dhe krimit në familje.
Top Channel