I kthyer në nëntor nga Italia, ky punonjës sezonal shqiptar po udhëton sërish nga Durrësi drejt veriut të Italisë për të rifilluar një tjetër sezon pune.
“Shkoj në Trento. Jetoj sezonal, 9 muaj atje, 3 muaj në Shqipëri. Nuk ka ndonjë gjë për t’u shqetësuar. Tani fillon puna. Kështu është jeta kur nuk gjen rrugëzgjidhje në Shqipëri”, shprehet ai.
Nevoja për punë dhe të ardhura e sfidon situatën e rënduar që ka shkaktuar përhapja e shpejtë e koronavirusit të ri Covid-19 dhe numri i madh i viktimave në Itali.
Çdo ditë përmes portit detar të Durrësit hyjnë e dalin drejt Italisë qindra udhëtarë me tragetet e linjave të Barit dhe Ankonës. Situata në vendin fqinj nuk i ka trembur shqiptarët që të lëvizin mes dy brigjeve të Adriatikut, kryesisht për qëllime pune dhe nevoja të tjera, përfshirë dhe kujdesin shëndetësor për kafshët shtëpiake.
“Nuk është aq e frikshme sa bëhet. Në portin e Ankonës bëhet kontrolli i temperaturës me skaner. E nëse nuk ke gjë të lejnë. Ne jemi vaksinë për koronavirusin.”
Ka dhe nga ata që besojnë se bota po përballet me një krijim të njeriut për qëllime të caktuara.
“Është diçka e krijuar nga njeriu. Nuk është një sëmundje. Është krijuar për të larguar disa njerëz që jetojnë kot (?!). Kush është i sëmurë nuk reziston. ”
Edhe shoferët e kamionave të transportit që lëvizin pandërprerje mes dy vendeve e marrin me sportivitet situatën, po jo merakun e shtuar të familjeve të tyre.
“Më shumë njerëzit e kanë fiksim. Nuk kemi parë deri tani ndonjë gjë të rënduar. Ne madje punojmë në linjën e Veronës dhe më pas drejt Milanos. Po familjet shumë të trembura. Ja gruaja sa më mori dhe më kërkoi të vendos maskën. Duhet ta dëgjoj. Ne jemi mësuar me këto situata. Po meqë është virus i ri po presim derisa të njihemi me të dhe pastaj ndoshta do të trembemi (qesh).”
Top Channel