Shtëpia e Bardhë e pranoi se në vend nuk ka teste të mjaftueshme për koronavirusin, ndërkohë që numri i njerëzve të prekur me të vazhdon të rritet.
BBC thotë se zëvendëspresidenti Mike Pence, pohoi që administrata e presidentit Donald Trump nuk do të mund të përmbushë objektivin e saj për të kryer një milion teste këtë javë. Megjithatë shtoi se deri në fund të javës së ardhshme, 1.2 milionë amerikanë do të mund të testohen. Kongresi, në anën tjetër, u mblodh me shpejtësi të pazakonshme për të miratuar një paketë emergjente ndihmash, për të luftuar shpërthimin e koronavirusit.
Në SHBA, numri i të vdekurve aktualisht është 12, ndërsa të infektuar janë mbi 200. 92 mijë raste infektimesh janë raportuar në mbarë globin. 9 prej të vdekurve në Shtetet e Bashkuara janë nga i njëjti azil pleqsh në periferi të Seattle-it. Institucioni po verifikohet tani nga autoritetet e shëndetësisë sepse dyshohet që nuk i ka zbatuar udhëzimet për parandalimin e sëmundjes. Senati amerikan miratoi të enjten projektligjin emergjent për 8.3 miliardë dollarë për të luftuar virusin COVID-19.
Top Channel