Hetimi i Wall Street Journal/ A doli koronavirusi nga laboratori i Wuhan-it?

06/03/2020 18:15

E përditshmja amerikane “Wall Street Journal”, i ka dedikuar një hetim mundësisë së incidenteve në qendrat që menaxhojnë agjentë patogjenë.

Teoria e incidentit kishte marrë zë pas vendimit të Pekinit për të dërguar në Wuhan, gjeneralin Chen Wei, specialist të armëve biologjike.

Që në 2018-n, Organizata Botërore e Shëndetësisë kishte paralajmëruar për rreziqet e përhapjes së laboratorëve Bsl-4, niveli më i lartë i biosigurisë, në disa vende, pa një mbikëqyrje të plotë ndërkombëtare. Dhe sipas WSJ, rreziku i sigurisë në laboratorët që studiojnë viruset, si ai në Wuhan të Kinës, është shumë i lartë.

Ekspertët, shkruan WSJ, janë në një mendje mbi faktin se rreziku i incidenteve apo akteve terroriste është rritur me lindjen në të gjithë botën të qendrave që menaxhojnë viruse vdekjeprurëse. Çlirimi i mikroorganizmave patogjenë si Covid-19, duket më i mundshëm në vende pa normativa specifike, thotë për gazetën Thomas Binz, ekspert i biosigurisë në zvicër.

OBSH, në 2018-N kishte diskutuar për rreziqet në disa laboratorë, duke nxjerrë në pah një nivel mosbesimi mes strukturave të konsoliduara dhe atyre më të reja e duke paralajmëruar komunitetin ndërkombëtar se një incident i vetëm, në një nga strukturat, do të kishte pasoja në të gjithë të tjerat. Në të njëjtin raport të dy viteve më parë, OBSH numëronte 54 laboratorë të këtij lloji në 24 shtete të ndryshme. Hipoteza e daljes së virusit nga laboratori i Wuhan-it, ka qarkulluar që nga ditët e para të shfaqjes së koronavirusit të ri pavarësisht se është përgënjeshtruar nga qeveria kineze.

Top Channel