Në Vjenë të Austrisë është mbledhur Këshilli i Përhershëm i OSBE-së, në një takim ku po marrin pjesë të gjithë krerët e organizatës nga shtete të ndryshme përfshirë edhe SHBA-në.
Për Kosovën atje ka raportuar ambasadori, Jan Braathu, i cili drejton zyrën e OSBE-së në Prishtinë. Lidhur me raportin e prezantuar prej tij reagoi ambasadori amerikan në këtë mision, Harry Kaiman, i cili tha se kishte arritur ta kuptonte më në detaje situatën. Por sërish, ai i mëshoi idesë së heqjes së taksës. Kaiman kujtoi se Administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e fokusuar për avancimin e raporteve mes të Prishtinës dhe Beogradit.“Dy të dërguar të posaçëm amerikanë po punojnë që të kapërcehet ngërci mes dy vendeve, e kjo është thelbësore për stabilitetin rajonal dhe të ardhmen’, tha i ngarkuari me punë i SHBA-së në misionin e OSBE-së.
Sipas tij, marrëveshjet e arritura për lidhjet ajrore, rrugore dhe hekurudhore mes Prishtinës dhe Beogradit dëshmojnë se zgjidhjet praktike janë të mundshme dhe se të dy vendet do të shohin përfitime të prekshme ekonomike nga normalizimi i raporteve. Por ai nënvizoi se Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë se qeveria e Kosovës duhet të pezullojë taksën, dhe se të dy palët duhet të rinisin negociatat, e nga ky qëndrim nuk lëvizet. Gjatë këtyre ditëve të fundit, kryeministri i Kosovës Albin Kurti i ka dërguar letra presidentit Trump dhe krerëve të BE-së përmes të cilave i njoftonte mbi prioritetet e qeverisë së tij si dhe rëndësinë e dialogut Kosovë-Serbi.
Top Channel