Epopeja e UÇK/ Ceremonia në nder të të rënëve të familjes Jashari

05/03/2020 15:17

Pasardhësit e Jasharajve që bartin edhe emrat e heronjve të qëndresës historike të 5, 6 dhe 7 marsit u bënë pjesë e seancës solemne për ta nderuar betejën e lavdishme të familjes.

Në ballë të ekzekutivit ata dëgjuan fjalët e lavdishme të thurura për nder të 5 marsit, datë që shënon 22 vjetorit e Epopesë së UÇK-së.

Kryeministri, Albin Kurti kujtoj ditët e qëndresës epike në Prekaz dhe rënien e 59 dëshmorëve për lirinë e atdheut, në mesin e tyre 18 gra e 10 fëmijë.

Kryeparlamentarja, Vjosa Osmani u shpreh se sakrifica e familjes Jashari ishte pasqyrë e regjimit totalitar serb.

“Prandaj, lejomëni, ju lutem, që bashkë me ta sot t’i ftojmë qytetarët e vendit tonë që, sikur në vitet ’90, të mbështetemi fort në forcën tonë, që kujtesën për heronjtë tanë ta shndërrojmë në shtysë për jetësim të idealeve të tyre dhe që, duke u solidarizuar më njëri-tjetrin, të dëshmojmë se mund të veprojmë bashkë për jetësimin e lirisë. Sot, respektimi dhe garantimi i lirive të qytetarëve tanë është jetik, prandaj na duhet përkushtim e dije, vullnet e atdhedashuri. Duke i gdhendur në kujtesën tonë kolektive emrat e heronjve, të dëshmorëve, martirëve, njerëzve që derdhën dijen e gjakun për këtë tokë, ne mund të bëhemi shoqëri e cila jo vetëm frymon lirshëm, por lirshëm e krijon ëndrrën e vet”, tha Osmani.

Në nder të Epopesë së UÇK-së, Forcat e Sigurisë së Kosovës kanë parakaluar në kazermën e cila mban emrin e Komandantit legjendar, Adem Jashari.

Me ç’rast komandanti suprem, Hashim Thaçi vlerësojë lartë punën e FSK-së.

Pranë obeliskut të dëshmorëve, krerë institucional kanë vendosur kurora lulesh e bërë homazhe.

Tutje, Thaçi ka bërë dekorimin e 56 ish- ushtarëve të UÇK-së, që ishin pjesë e luftës nga dita e parë e gjerë në çlirimin e vendit.

Top Channel