Në studion e emisionit “Top Talk” të drejtuar nga gazetari Denis Dyrnjaja, ishte i ftuar ish-ministri i financave Arben Malaj. Gjatë bisedës në studio nuk u la pa përmendur dhe manifestimi mbarëkombëtar i organizuar nga Presidenti i Republikës Ilir Meta, më dy mars.

Manifestim ky i mbështetur dhe nga opozita e bashkuar me në krye boshtin PD-LSI. Duke parë këtë përfshirje, gazetari Denis Dyrnjaja pyeti drejtpërsëdrejti Malajn se nëse brenda opozitës ka nisur një luftë e brendshme midis Lulzim Bashës dhe Ilir Metës, për të drejtuar apo menaxhuar opozitën. Ish ministri u shpreh se kjo teori është më shumë mediatike dhe bëhet për të forcuar maxhorancën dhe për të dobësuar opozitën, duke krijuar kështu idenë se midis krerëve kryesorë të dy partive më të mëdha që e përbëjnë atë (pra opozitën), ka nisur një luftë e brendshme protagonizmi. Sa i përket pjesëmarrjes në manifestim, Malaj u shpreh se beson që pjesëmarrja më e madhe ishte e qytetarëve dhe jo e militantëve të partive opozitare.

“Unë mendoj që fakti që nuk folën liderët politikë, le të shpresojmë se më shumë se thjesht anëtarë partie, aty kishte dhe qytetarë. Patjetër që kishte dhe indikacione nga opozita, normale dhe lideri i opozitës tha që si qytetar të shkojmë dhe të bashkohemi. Por nuk ishte një tipike e organizimit që bën opozita, sepse kur opozita bën një protestë, ne e kemi parë në të gjitha rastet, edhe kur e bënte PS edhe kur e bënte PD dhe LSI, janë organizime jo para ushtarake, por organizime militantësh. Në këtë aspekt pjesëmarrja nuk konsiderohej e mirë. Problemi më pas mbetet thelbi për të cilën u bë protesta”, tha Malaj.

Më tej ai shtoi:

“Ajo që do të dëshiroja të theksoja është që në qoftë se vazhdon një luftë e brendshme brenda opozitës. Unë besoj që shtypi kërkon ta ushqej, sepse e dinë se në qoftë se ajo ndodh e gërryen opozitën dhe ja arriti jetëgjatësinë e pozitës”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA