Vlora Çitaku e pranon kërkesën e ministrit Glauk Konjufca për t’u larguar nga pozita, por ajo thotë se ka pasur kërkesë nga presidenti Thaçi për ta vazhduar punën e saj si ambasadore në SHBA.
Ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, e ka pranuar propozimin e kryediplomatit Glauk Konjufca për t’u larguar nga detyra. Dekretin e shkarkimit të një ambasadori duhet ta nënshkruajë presidenti, megjithatë në reagimin e saj në Facebook, Çitaku shkroi se do ta respektojë kërkesën e Konjufcës dhe se nuk do të tentojë të qëndrojë në një pozitë ku është e padëshiruar nga Qeveria. Por në shpjegimin që ambasadorja e ka dhënë në gjuhën angleze në Twitter, ajo ka shtuar edhe një fjali tjetër. Çitaku tregon se presidenti Hashim Thaçi i ka kërkuar asaj që të vazhdojë detyrën e saj në krye të misionit diplomatik të Kosovës në SHBA.
“Edhe pse presidenti ka autoritet ekskluziv për këtë vendim dhe ai më ka kërkuar mua të vazhdoj shërbimin me kapacitetet e mia të tanishme, unë do ta respektoj kërkesën e Qeverisë”, ka shkruar Çitaku. Konjufca dje vazhdoi valën e dytë të shkarkimeve nga misionet diplomatike. Ai propozoi shkarkimin ambasadorëve Vlora Çitaku, Edon Cana, Lirim Grejçevci, Shpend Kallaba, Mimoza Ahmetaj, Ylber Hysa, Ramadan Avdiu. “Një ndër hapat e radhës është edhe kërkesa për kthimin e ambasadorëve politikë që e kanë përfunduar mandatin 4-vjeçar të paraparë sipas ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Konjufca.
Çitaku është emëruar në vitin 2015, ndërsa ajo e përfaqëson Kosovën edhe në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Paraqitjet e Çitakut në OKB dhe përballjet e saj me kryediplomatin serb Ivica Daciq, janë përkrahur vazhdimisht në Kosovë. Pas vendimit të Konjufcës dje, ka pasur reagime rreth largimit të Çitakut nga detyra.INA
Top Channel