SHBA, arrin në 6 numri i të vdekurve nga koronavirusi

02/03/2020 21:50

Në SHBA, katër njerëz të tjerë kanë vdekur nga koronavirusi në shtetin veriperëndimor të Uashingtonit, duke e çuar në gjashtë numrin e vdekjeve në të gjithë vendin, thanë të hënën zyrtarë amerikanë të shëndetësisë.

Gjithsej në SHBA janë raportuar deri tani më shumë se 80 raste infektimi me koronavirus.

Presidenti Donald Trump pritet të takohet me drejtuesit e industrisë farmaceutike. Takimi ishte planifikuar qysh më parë për të diskutuar mbi çmimet e barnave, por tani fokusi do të jetë koronavirusi. Në mbledhje marrin pjesë Zëvendës Presidenti Mike Pence dhe anëtarët e grupit të tij të punës për koronavirusin.

“Bëhet fjalë për një vaksinë, mbase edhe një kurë,” u tha Presidenti Trump gazetarëve.

Numri i vdekjeve nga koronavirusi në të gjithë botën u rrit në mbi 3,000 ndërsa numri i personave të konfirmuar me koronavirus në gati 90,000.

ITALIA, VENDI MË I PREKUR NË EVROPË

Në Itali, numri i vdekjeve nga koronavirusi u rrit të hënën në 52 nga 34 që ishte një ditë më parë. Ndërkaq, numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara në Itali, vendi më i prekur i Evropës, e kaloi shifrën 2 mijë.

Rritja e vdekjeve ishte më e madhja që nga shpërthimi i virusit që u shfaq 10 ditë më parë në rajonet e pasura veriore të Lombardisë dhe Venetos.

Lombardia, e cila përfshin kryeqytetin financiar të Italisë, Milanon, ka marrë deri tani goditjen më të fortë, me 38 viktima.

NË VENDE TË TJERA

Koreja e Jugut njoftoi për 600 raste të reja të hënën, ndërsa kreu i një grupi fetar që ka lidhje me shumicën e rasteve në atë vend, Lee Man-hee tha se kisha e tij po bashkëpunonte me qeverinë për të parandaluar përhapjen e mëtejshme.

“I kërkoj ndjesë popullit si përfaqësues i Kishës Shincheonji. Nuk ishte e qëllimshme por shumë pacientë janë infektuar”, tha ai.

Zyrtarët u kanë kërkuar prokurorëve që të shqyrtojnë mundësinë e akuzave për vrasje kundër udhëheqjes së grupit, pasi nuk kishte bashkëpunuar me përpjekjet e qeverisë për të ndalur përhapjen e virusit.

Presidenti amerikan, Donald Trump pritet të takohet me nënpresidentin Mike Pence, që po drejton përpjekjet e administratës kundër sëmundjes, si edhe drejtues të kompamive farmaceutike.

Në Shtetet e Bashkuara zyrtarët e shëndetësisë thanë se virusi mund të ketë qenë i pranishëm dhe nuk është diktuar në komunitet, për javë të tëra. Guvernatori i Nju Jorkut Andrew Cuomo, njoftoi për rastin e parë në këtë shtet.

Të hënën u njoftuan dy rastet e para në Indonezi që zyrtarët e shëndetësisë thonë se e kishin burimin nga një shtetas japonez i prekur nga virusi.

Rastet janë konfirmuar në të paktën 60 vende dhe virusi ka infektuar mbi 89 mijë vetë që kur u shfaq në dhjetor.

Italia është vendi që është goditur më rëndë në Evropë dhe të dielën numri i rasteve arriti në rreth 1,700. Zyrtarët parashikojnë që ky numër të rritet.

Po të dielën muzeu i Luvrit në Paris mbylli dyert për vizitorët pasi personeli i tij vendosi përmes sindikatës që e përfaqëson që të mos punojë për shkak të frikës nga koronavirusi. Franca njoftoi për dy persona të tjerë që kanë humbur jetën, duke e çuar në katër numrin e viktimave në këtë vend.

Në Britani, kryeministri Boris Johnson tha se gjasat janë që virusi të përhapet në vend.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme të theksojmë se ky është një problem që mendoj se do të rëndohet në këtë vend në ditët dhe javët e ardhshme, prandaj ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet për ta përballuar”, tha ai./VOA/

Top Channel