Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u ka dërguar letër Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump si dhe Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo.
“Jemi të vendosur për zgjidhjen e çështjeve të mbetura në mes të Kosovës dhe Serbisë, përmes procesit të dialogut, i cili do të përfundojë me njohjen e ndërsjellë në mes të dy shteteve. Ne besojmë se kjo është rrugë e rëndësishme drejt integrimit të plotë të Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare si dhe arritjen e marrëveshjes historike, e cila do të krijonte paqe të qëndrueshme në Ballkan.
Lidhur me këtë, që nga 15 marsi ne do të fillojmë me fazën e parë të heqjes së tarifës në mallrat nga Serbia dhe Bosnia e Hercegovina, e cila ishte vendosur nga qeveria e kaluar. Ne po e bëjmë këtë si gjest diplomatik të vullnetit të mirë, me shpresë që Serbia do të veprojë reciprokisht duke I hequr të gjitha barrierat jotarifore në tregti me Kosovën, si dhe të ndalojë fushatën për çnjohje të Kosovës. Ne e rezervojmë të drejtën për ta rikthyer tarifën në periudhë prej 90 ditësh nëse Serbia nuk jep shenjë të vullnetit të saj të bashkëpunojë për këto çështje. Ne, poashtu, i lutemi Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian të krijojë mekanizëm monitorimi dhe sanksionimi, për t’u siguruar që të dyja palët t’i përmbahen premtimeve të bëra në marrëveshjet e tashme dhe të ardhme në mes të dy palëve”, i shkruan Kurti Pompeos.
Ndërkohë në letrën drejtuar Trump thuhet: Qeveria ime dhe unë jemi të përkushtuar për zgjidhjen e çështjeve të mbetura ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Ne mbetemi të bindur se kjo duhet bërë përbrenda procesit të dialogut, i cili do të kulmonte me njohjen e ndërsjellë të dy shteteve. Ne besojmë se kjo është rrugë e rëndësishme për integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare dhe arritjen e një marrëveshje historike që do të krijonte paqe të qendrueshme, stabilitet dhe siguri në Ballkan.
Së këndejmi, duke filluar nga 15 Marsi, ne do të fillojmë heqjen e tarifave për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina, të cilat janë vendosur nga qeveria e kaluar. Fillimisht, do hiqen tarifat për lëndët e para. Këtë e bëjmë si shprehje e gjestit të mirë diplomatik dhe si shenjë për përkushtimin tonë për të punuar afër me Shtetet e Bashkuara në dialogun me Serbinë. Ne shpresojmë seveprimet tona do të kthehen me reciprocitet nga Beogradi, nga i cili presim t’i largojë të gjitha barrierat jo-tarifore për tregtinë me Kosovën, si dhe të ndalojë fushtatën për çnjohjet e Kosovës. Ne poashtu ftojmë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian për krijimin e mekanizmave monitorues dhe sanksionues, për të siguruar që dy palët t’i përmbahen zotimeve të bëra gjatë marrëveshjeve të tanishme si dhe atyre në të ardhmen.
Bashkëngjitur gjeni letrat e Kryeministrit Kurti dërguar Presidentit Trump dhe Sekretarit Pompeo dhe versionet zyrtare të përkthyera në gjuhën shqipe.
http://Letra e kryeministrit Kurti drejtuar presidentit Trump në Shqip
Top Channel