Abdixhiku kërkon anulimin e projektit të ndërtimit në Liqenin e Badovcit

22/02/2020 14:59

Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit në Qeverinë e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se ka kërkuar anulimin e vendimit për kushtet ndërtimore të një lagjeje në afërsi të Badovcit.

Muaj më parë ishin bërë të ditura planet për krijimin e një lagjeje luksoze afër Liqenit të Badovcit gjë që kishte nxitur reagime të shumta nga mijëra përdorues të rrjeteve sociale.

Abdixhiku tha se “Qeveria e Kosovës është e përkushtuar t’i mbrojë resurset natyrore të vendit dhe të dëgjojë aktivizmin qytetar”.

“Duke u thirrur në Ligjin për Ujërat e Kosovës, mbështetur në Vendimin e Qeverisë për zonat e mbrojtura në Liqenin e Badovcit, Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit ka obliguar Komunën e Prishtinës që të bëjë anulimin e vendimit për kushtet ndërtimore për rastin e lagjes në afërsi të Badovcit”.

“Qeveria e Kosovës është e përkushtuar t’i mbrojë resurset natyrore të vendit. Mbi të gjitha, është e interesuar të dëgjojë zërin e padëgjuar të aktivizmit qytetar, që këtë herë ishte përcaktues në ngritjen e alarmit me kohë”, thuhet në postimin e tij.

Qytetarët kishin nënshkruar një peticion online duke iu kërkuar autoriteteve llogari për ndërtimin e kësaj lagjeje. Ndërkaq, zyrtarë të institucioneve kishin mohuar të kenë dhënë leje për këtë projekt.

Top Channel