Federata e Futbollit të Kosovës ka reaguar ashpër pas rastit të futbollistit Ilija Ivic.

Lojtari ditë më parë kishte deklaruar për Telegrafin se do të luante për Kosovën, ndërsa tani atij i janë larguar prindërit nga puna.

Këtë lajm ia kanë kumtuar FFK-së drejtuesit e klubit kryeqytetas Flamurtari.

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, ka dënuar ashpër këtë akt që të përjashtohen nga puna prindërit e një futbollisti të talentuar.

Shtëpia më e madhe e futbollit kosovar ka deklaruar se kanë përkrahur vendimin e përzgjedhësit Ramiz Krasniqi për ta ftuar talentin Ivic.

FFK ka kërkuar nga institucionet vendore e ndërkombëtare si dhe nga UEFA e FIFA që të reagojnë fuqishëm në parandalimin e dukurive të tilla diskriminuese që vijnë në vazhdimësi nga shteti serb.

Babai i Ilija Ivic ka qenë punëtor arsimi në Graçanicë, ndërsa nëna e tij ishte duke punuar si shërbyese civile në këtë komunë, por që të dy janë përjashtuar shkaku që Ivic pranoi të luaj për Përfaqësuesën U19 të Kosovës.

Reagimi i plotë i FFK-së:

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës është tronditur sot me lajmin e mësuar nga drejtuesit e KF “Flamurtari”, se prindërit e futbollistit të ri të këtij klubi, Ilija Iviq, janë përjashtuar nga puna (nëna si shërbyese civile në Komunën e Graçanicës, e babai si punëtor arsimi) për shkak se djali i tyre ka pranuar të luajë për Kombëtaren U19 të Kosovës.

KE i FFK-së e dënon ashpër këtë akt qyqar të ndërmarrë nga drejtues të institucioneve që funksionojnë brenda sistemit të Republikës së Kosovës, por edhe të atyre të sistemit paralel serb, e që për qëllim kanë futjen e frikës tek bashkëqytetarët tanë serb, të cilët e shohin Kosovën si vendin e tyre dhe që duan të kontribuojnë në zhvillimin dhe ngritjen e saj edhe në futboll.

Është për keqardhje se si presioni i institucioneve të Serbisë është aq i shtrirë tek komuniteti serb që jeton në Kosovë, sa që nuk lejojnë që një futbollist i talentuar ta zhvillojë karrierën e tij ashtu siç dëshiron. Kjo dëshmon se sa e vrazhdë është politika serbe ndaj bashkëkombasve të tyre që jetojnë në Republikën e Kosovës dhe që duan që të ardhmen e tyre ta ndërtojnë në paqe dhe në harmoni me bashkëqytetarët e tjerë në Kosovë.

Federata e Futbollit e Kosovës vazhdimisht ka qenë e hapur dhe është përpjekur t’u japë hapësirë të gjithë talenteve të futbollit, pa marrë parasysh se cilit komunitet i takojnë. Edhe në rastin e talentit Iviq, ne e kemi përkrahur fuqishëm vendimin e përzgjedhësit të Kombëtares U19, Ramiz Krasniqi, që ta ketë në dispozicion këtë futbollist dhe e kemi inkurajuar atë që t’i japë hapësirë të gjithë lojtarëve që e meritojnë të veshin fanellën e Kombëtares tonë.

FFK asnjëherë nuk i shikon futbollistët në baza kombësie, racore, përkatësie etnike apo fetare, por gjithmonë do të jetë e përkushtuar që t’i ftojë në kombëtaret e saj zinxhir futbollistët më meritorë.

Me këtë rast kërkojmë nga institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare, por edhe nga UEFA e FIFA që të reagojnë fuqishëm në parandalimin e dukurive të tilla diskriminuese që vijnë në vazhdimësi nga shteti serb. Kjo është ndërhyrje e pastër e politikës në sport dhe duhet të dënohet nga të gjithë.

Federata e Futbollit e Kosovës do të bëjë çmos që edhe në të ardhmen të gjithë të rinjve, pa marrë parasysh përkatësinë etnike t’ju mundësojë hapësira për zhvillimin dhe shfaqjen e talentit në të gjitha trevat ku ata jetojnë, por edhe në ekipet kombëtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA