Rudina Hajdari ka reaguar me anë të një postimi në “Facebook” në lidhje me rrëzimin e bustit të Enverit 29 vite më parë.

Ajo shkruan:

29 vite më parë të drejtuar e frymëzuar nga lëvizja studentore, qytetarët shqiptarë rrëzuan një nga regjimet më të egra diktatoriale në botë.
Kjo është një ditë e cila duhet të mbetet e lartësuar në memorien e gjithsecilit prej nesh, por edhe e gdhendur në historinë e popullit shqiptar.
Një ditë që na tregon fuqinë e bashkimit mbi përçarjen, forcën e popullit mbi diktatorët, forcën e ideve mbi dhunën e terrorin.

Fatkeqësisht, 29 vite më vonë, edhe pse kemi bërë shumë progres, kemi dështuar në dy nga aspiratat e 20 shkurtit 1991.

Kemi dështuar në ndërtimin e një demokracie funksionale duke vazhduar të operojmë me një mentalitet drejtues gati diktatorial, i cili pasqyrohet që nga mënyra se si drejtohen partitë politike me grusht të hekurt nga kryetarët e deri te format aspak demokratike të qeverisjeve. Për këtë arsye unë kam luftuar, po luftoj dhe do luftoj pa kompromis për të demokratizuar vendin. Një nga mjetet për ta realizuar këtë është padyshim ndryshimi i sistemit zgjedhor, duke ia dhënë fuqinë që sot kanë kryetarët, qytetarëve.

Së dyti, kemi dështuar të bëjmë një bilanc të plotë të asaj që ndodhi gjatë diktaturës dhe të ndëshkojmë përgjegjësit.
Ende sot, ish drejtues apo bashkëpunëtorë të rrezikshëm të regjimit e sigurimit vazhdojnë të jenë pjesë e vendimarrjes, duke minuar demokracinë.

Jam krenare që sot i kam propozuar Kuvendit dhe Këshillit Politik një projektligj, i cili detyron çdo kandidat të provojë se nuk ka qenë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit dhe nuk ka gisht në torturimin, internimin apo vrasjen e dhjetëra mijëra shqiptarëve gjatë diktaturës, para se të konfirmohet si kandidaturë e zgjedhshme në çfarëdo posti publik.

Ka ardhur koha të shkëputemi nga e shkuara, jo vetëm me fjalë por me vepra.
Ka ardhur koha për ta çuar amanetin e atyre që dhanë jetën për demokraci deri në fund.

Top Channel