‘Tell me something girl
Are you happy in this modern world?
Or do you need more?’
Shallow
Lady Gaga, Bradley Cooper
NGA MONIKA STAFA
Është e vështirë sot të ndjesh emocionin që të jep një melodi e bukur apo një këngë e mirë. Ka shumë zgjedhje dhe në këtë kaos marketingu ku hyn paraja dhe jo vlera e tradita të duhet të listosh vetë këngët në skedën tënde të ditës se cfarë të frymëzon në një ditë të re kur agon. Por shpesh herë teksa meloditë rrëshqasin në kufje, përpiqem me vetëdije ose jo t’i lë ndjesitë e lira të dallgëzojnë drejt valëve muzikore. Ndërsa pyes veten përse këngët më hit sot në botë duken më të trishta sesa 50 vite më parë?
Disa profesorë të Harvard-it bazuar në disa anketa të bëra mes një grupi njerëzish varësisht të ndarë nga mosha dhe profesioni hartuar sipas një platforme të re teknologjike dhe përpunimit të rezultateve pas kësaj, shpjegojnë se ne mund ta kemi një përgjigje të saktë mbi pyetje të tilla apo njëfarësoj. P.sh. një mënyrë e drejtpërdrejtë për të matur përmbajtjen emocionale të një teksti kënge është të llogarisim sa fjalë emocionale gjenden aty. Mbi sa herë janë përdorur fjalët që përcjellin emocion negativ si ‘dhimbje’, ‘urrejtje’ apo dhe ‘pikëllim’? Dhe ndryshe sa herë janë përdorur fjalët që përcjellin të kundërtën, pra, emocionin pozitiv si ‘dashuri’, ‘gëzim’ ose dhe ‘lumturi’? Një tjetër e dhënë për të marrë përgjigje për pyetje të tilla është dhe fakti nëse i referohemi disa kushteve si p.sh., sa më i gjatë të jetë teksti i këngës, aq më mirë duket së është shfaqur gjendja shpirtërore e autorit. Kjo është një teknikë metodologjike për të kuptuar se cfarë është ‘analiza e ndjenjës’ ose ndryshe e së brendshmes. Kjo gjendje emocionale, analiza e së brendshmes, shpesh aplikohet në postimet individuale në mediat sociale apo dhe në mesazhet publike që përcjellin politikanët dhe është kryesisht afatshkurtër. Analiza e së brendshmës ka pasur një ndikim më të gjatë në periudha sic ishin dekadat kur shumë gazeta u bënë të famshme/ bestseller me artikuj të ndjeshëm e të shkruar mirë mbi probleme të ndryshme soc-politike apo një tjetër kohë kur gjatë shekujve lindi një letërsi e mirë si ajo e shek të XIX dhe XX.
Studiues si antropologë/sociologë, bazuar në të dhënat e sondazheve që kurset e tyre kryejnë vazhdimisht për të parë se cfarë tendence ka sot në botë me emocionet që lënë pas këngët e këtij shekulli të ri, vërejtën pas rezultateve se këngët në gjuhën angleze e që janë në trendin e kohë, përcjellin më shumë emocione negative. Raporti i përdorimit të fjalëve që ngacmojnë negativisht është rritur me më shumë se një të tretën. P.sh., nëse supozojmë se një këngë ka mesatarisht 300 fjalë, po në 100 hitet më të mira të një viti sa fjalë ka? Llogaritjet sipas ekspertëve thuhet se janë rreth 30,000 fjalë. Tani lë të kthehemi pas në kohë; në vitin 1965, rreth 450 nga këto fjalë përcillnin emocione negative, ndërsa në vitin 2015 numri i tyre arriti shifrën mbi 700. Ndërkohë, fjalët e shoqëruara me emocione pozitive u ulën në të njëjtën periudhë kohore. Gjenden më shumë se 1,750 fjalë emocionuese në tekstet e këngëve të vitit 1965, dhe vetëm rreth 1,150 të tilla në 2015. Megjithatë, në numër absolut, gjithmonë ka më shumë tekste që përcjellin emocione pozitive sesa negative. Sepse kjo është veçoria universale që gëzon gjuha njerëzore, e njohur ndryshe dhe si principi Pollyanna (ose polianizmi, njeriu ka tendencën të kujtojë momentet e bukura në jetë më shumë sesa ato të pakëndshmet), ndaj dhe është e pamundur mos të shpresosh që e gjithë kjo histori tekstesh të mos kthehej atje ku ish: ajo që ka rëndësi, sidoqoftë, është si të menaxhosh trendin e tyre.
Rezultati sipas anektimit që bënë studiuesit, shihet kur vërejmë edhe sesa herë është përdorur fjala ‘dashuri’ në 50 vite në këto tekste këngësh. Shifrat tregojnë se ka shkuar kjo fjalë ka shënuar rënie në përdorim; nga 400 dikur në 200 vitet e fundit. Fjala ‘urrejtje’, përkundrazi, e cila deri në vitet 1990 nuk përmendej pothuaj fare në asnjë nga 100 këngët më të mira, tani përdoret rreth 20 /30 herë në vit.
Të gjitha këto të dhëna na tregojnë, vërejnë antropologë e sociologë të universitetit të Harvardit se edhe pse u përdorën metodologji krejtësisht të ndryshme për të matur humorin e mirë apo të keq të një kënge, një gjë është e qartë: në një database të dhënash që u mblodhën prej 500,000 këngësh të njohura midis viteve 1985 -2015, u arrit në përfundimin se ka një tendencë të dukshme të uljes së tonaliteteve dashurore të teksteve, pra të atyre karakteristikave që përcaktojnë ‘lumturinë’ dhe ‘shkëlqimin’ e gjendjes shpirtërore të njeriut, shoqëruar me një rritje të lehtë të ‘trishtimit’.
Që këtej lind pyetja tjetër për ne, cfarë po ndodh? Zbulimi dhe përshkrimi i tendencave është i rëndësishëm por gjithashtu ne duhet të përpiqemi t’i kuptojmë dhe t’i shpjegojmë arsyet. Rezultate të tilla shpjegohen me teori jo fort të lehta. Njëra prej të cilave është evolucioni kulturor. Kultura evoluon me kalimin e kohës, pjesërisht duke ndjekur të njëjtat parime të seleksionimit natyror darvinian, domethënë, nëse ka variacion, seleksionim dhe riprodhim, atëherë mund të kemi dhe pritshmëri mbi tipare kulturore më të suksesshme në popullatë, ndërsa të tjera me kohën zhduken.
Sipas shkencës biologjike vetëm tiparet fizike transmetohen gjenetikisht, por kjo s’do të thotë që sjelljet shoqërore/ evoluimi kulturor, pra, të kenë të njëjtin fat. Fakti që shumë sjellje të njeriut i janë bashkëngjitur atij, prej evoluimit të shoqërisë nuk është shumë befasuese. Sidoqoftë, me qëllim që edukimi kulturor prej shoqërisë të jetë i trashëgueshëm – domethënë që individi të rrisë mundësinë e vet të edukohet prej trendeve që të ofron shoqëria- të mësuarit nga të gjithë ne duhet të jetë selektiv. Është më mirë të mësosh nga një i rritur që di të gatuajë mirë sesa nga të afërmit e tu që vetë janë ende duke mësuar të gatuajnë, shprehet një ekspert. Në gjuhën e evolucionit kulturor, kopjimi paraprakisht i sjelljes së individëve të suksesshëm quhet ‘transmetim i njëanshëm i suksesit’. Në mënyrë të ngjashme, ka shumë paragjykime të tjera të të mësuarit që mund të hyjnë në lojë të tilla, si paragjykimi i përshtatjes, paragjykimi i prestigjit ose paragjykimi i përmbajtjes. Për të provuar të kuptojmë pse tekstet e këngëve kanë rritur përcjelljen e emocioneve negative dhe kanë rënë në ato pozitive me kalimin e kohës, studiuesit kanë pranuar ta shpjegojnë atë me teorinë e evolucionit kulturor me idenë nëse modeli mund të shpjegohet përmes paragjykimeve të lartpërmendura. Pra nuk është e lehtë të luftosh për të ndërruar mendjen e një brezi i cili e do silikonin, perfeksionin e së bukurës edhe kur simetria është anuar pak fizikisht, kërkon paranë lehtësisht dhe famën natyrisht brenda një dite. Sot ne kemi një brez tjetër; me evoluim tjetër kulturor dhe pritshmëri të tjera për të ardhmen e vet.
Ecuria e këtij studimi ishte jo fort i lehtë dhe rezultatet aspak të gëzueshme. Pasi u panë modelet një e nga një, d.m.th., pasi u vërejtën këngët e listuara si më të suksesshme se cfarë përmbajtje kishin, që këtej mund të vihej re tendenca e autorëve të teksteve në dekadat e fundme se përse ata e kishin rritur dozën e trishtimit në vargjet e tyre. Mos ndoshta për shkak të suksesit që patën ata parardhës? Duke hulumtuar në tekstet e tyre (të artistëve më të suksesshëm gjatë kohërave) u pa se megjithëse ato përcillnin trishtim dhe dhimbje, ishin më tërheqëse. Mos ndoshta kjo tendencë e uljes së dozës së lumturisë i bëri ata më të famshëm?
Rritja e numrit të vargjeve mbushur me trishtim në këngët angleze është një dukuri interesante, dhe antropologët vërejtën se kjo mund të jetë si shkak i një preferencë të përhapur në shoqëri për të tillë përmbajtje. Nisur nga kjo preferencë, kjo është arsyeja se pse tekstet e këngëve pop para viteve 1980, tingëllonin më të gëzueshme sesa ato sot. Ka të ngjarë se një industri regjistrimi më e centralizuar të kishte më shumë kontroll mbi këngët që prodhoheshin dhe shiteshin atëkohë. Por dhe zhvillime të tjera më të gjera shoqërore mund të kishin kontribuar për ta bërë atë më të pranueshme e me tone triumfi. Ndaj një gjë është për tu evidentuar në këtë botë të mbytur nga informacioni; asgjë nuk kalon pa u vënë re, së fundi edhe kjo tendencë në humorin e frymës muzikore të këtij shekullit të ri. Të kuptuarit se ka më shumë punë për të bërë për të shpjeguar më mirë modelin, është gjithmonë një shenjë e mirë në shkencë duke lënë hapësirën për të bërë edhe pyetje të tilla si ajo që vazhdimisht i bëja vetes prej disa vitesh; përse ka më shumë doza trishtimi dhe mërzie në vargjet këngëve që shënojnë sot hitet botërore?
Top Channel