Enciklopedia ‘Shqiptarët në artin botëror’, është një punë që përmbledh me qindra e mijëra imazhe dhe shpjegime të hollësishme të autorëve të ndryshëm të huaj dhe subjekteve të tyre shqiptare, një punë, që mbart veç dashurisë dhe një skrupulozitet të rrallë prej murgu, që në kohën tonë duket të jetë një virtyt i pakundgjendshëm.
Enciklopedia sjell një histori të tërë të Shqipërisë përmes imazhit, kuruar kjo me kujdes sipas një metodologjie të qartë dhe njëkohësisht të saktë shkencore. Këto vepra arti janë njëherësh dhe dëshmi historike nga periudha kur ende nuk njihej fotografia dhe për këtë arsye, ato janë njëherazi dëshmi e dorës së parë për të njohur shoqërinë shqiptare në të gjitha përmasat e saj.
Vepra e Ferid Hudhrit, ‘Shqiptarët në artin botëror’, mbart në vetvete karakteristikat më të mira që do të kërkonte një botim enciklopedik, sidomos për historinë e artit shqiptar, ndaj duke qenë kështu një realizim unikal në llojin e saj, meriton të ndiqet si shembull në punët e kësaj natyre në të ardhmen.
Dy fjalë për autorin
Ferid Hudhri është historian dhe studiues arti. Ka mbaruar Akademinë e Arteve në Tiranë, më 1974. Më pas ka kryer kursin pasuniversitar për Histori dhe Kritikë Arti, në Tiranë, më 1986. Ka bërë specializimin për Histori Arti në Muzeun e Luvrit, në Paris, më 1990 dhe në Universitetin e Europës Qendrore (CEU), Pragë 1994-1995. Gjatë viteve 1974-1985 ka punuar në Lidhjen e Artistëve dhe Shkrimtarëve si redaktor për artet figurative. Në vitet 1992-1997 ka qenë drejtor i Qendrës së Studimit të Arteve në Akademinë e Shkencave. Aktualisht punon ne Departamentin e Studimit te Arteve ne Qendrën e Studimeve Albanologjike. Ka mbrojtur graden Doktor i Shkencave dhe ka marre titullin Profesor. Pas viteve ’90 ka bërë shumë udhëtime studimi në vende të ndryshme të botës si në Francë, Angli, Australi, Itali, Greqi, Egjipt, Amerikë.
Librat e tij më të suksesshëm janë “Shqipëria në veprat e piktoreve te huaj”, botuar në shqip në Tiranë, më 1989, dhe në anglisht “Albania and Albanians in the World Art”, në Athinë, më 1990, “Arti i Rilindjes shqiptare” vlerësuar me çmimin “Penda e Argjendtë” më 2001, “Shqipëria nëpërmjet Artistëve”, Tiranë 2003, “Albania through Art” 2008 dhe Enciklopedia “Shqiptarët në Artin Botëror”, botim i vitit 2012, vlerësuar me cmimin e Akademisë Kult, 2013.
DETAJET E LIBRIT
Shtëpia Botuese: Akademia e Shkencave e Shqipërisë (2020)
Botuar në: 2020
Gjuha e publikimit: Shqip
ISBN-13: 978 9928 237 73 6
Formati: me kapak të trashë
Nr. faqe: 584
Top Channel