Në këtë 100 vjetor të saj si Kryeqytet, një tjetër zonë historike i rikthehet Tiranës. Për shumë vite zona tek Kalaja ka qenë e mbushur me ndërtime pa leje dhe me motele, ndërkohë që Bashkia e Tiranës ka vendosur t’i rikthejë shkëlqimin e saj, jo vetëm duke mbrojtur këtë trashëgimi , por edhe duke krijuar një atraksion të ri për turistët.
Kryebashkiaku Erion Veliaj ka publikuar fotot nga aksioni që kanë nisur punonjësit e Bashkisë Tiranës për lirimin edhe të pjesës së dytë të Kalasë. Veliaj thekson se ata që sulmojnë Bashkinë e Tiranës për këto ndërhyrje, kanë heshtur për motelet dhe zaptuesit e këtij monumenti historik.
“Fillon lirimi i pjesës së dytë te Kalaja e Tiranës – largohen motelet me orë e çibanët mbi mure për ta dyfishuar hapësirën e transformuar nga rigjenerimi urban. Kush sulmon Bashkinë Tiranë për ndërhyrjet, çudi që nuk flet kurrë për motelet e zaptuesit aty. Tirana100 ”, shkruan Veliaj.
Më herët, Bashkia e Tiranës ka transformuar edhe pjesën tjetër të Kalasë së Tiranës e cila nga një vendgrumbullim mbetjesh është kthyer në një hapësirë kulturore e tregtare e qytetit, ku qytetarët dhe turistët e shumtë mund të gjejnë dyqane suveniresh, mozaikë e restorante tradicionale. Pas sheshit “Skënderbej dhe Pazarit të Ri, falë bashkëpunimit me familjen e vjetër Toptani për rehabilitimin e saj, Kalaja e vjetër e Tiranës i është kthyer qytetarëve si një hapësirë ku ndërthuret e vjetra me modernen, për të shërbyer si një mjedis kulinarie për gatimet tradicionale shqiptare, por edhe si një zonë për zhvillimin të artizanisë, kulturës dhe artit.
Top Channel